Ndjenjë e veçantë kur studimet kurorëzohen me diplomën studente e dalluar

18 Mars, 2021

Besarta Sejdiu, studente e Fakultetit Juridik, e cila në tetë vjetorin e themelimit të  Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, mori diplomën Studente e dalluar nga Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi, thotë se, gjatë studimeve katërvjeçare, ka qenë përpjekje e saj e vazhdueshme që të bëj studim sistematik, mësim logjik dhe ka qenë kërkuese nga profesorët për çdo pyetje apo çështje të paqartë gjatë kohës së ligjëratave dhe ushtrimeve. Po ashtu, një aspekt me rëndësi është edhe fakti se Besarta thotë se ka qenë përherë në hap edhe me pjesën praktike te fushës ku ka studiuar, në Fakultetin Juridik, përmes ndjekjes së seancave gjyqësore, e cila e ka kompletuar atë në aspektin e përgatitjes profesionale.

Besarta thotë se secili student përballet edhe me vështirësi gjatë ciklit të studimeve, sidomos, sfidë në vete është procesi i vlerësimit, ku të mësuarit në lëndën e caktuar duhet të vlerësohet përmes notës. Por, sipas saj arritja e notës së lartë mesatare gjatë studimeve, nuk është e thjeshtë, por jo edhe e pamundur. Për gjithë këtë sipas Besartës, kërkohet përkushtim i madh nga studenti duke filluar nga vijimi i rregullt në ligjërata dhe ushtrime, hyrja në kolokviume dhe provim përfundimtar, hartimin e punimeve të ndryshme shkencore dhe së fundi përgatitja e lëndës nga libri dhe jo përmes skripteve apo formave të tjera të cilat janë një praktikë e krijuar nga studentët, por aspak e dobishme.

Besarta vlerëson se puna kolektive nxitë debatin, mendimin ndryshe, ide të reja, përvoja ndryshe ku secila nga to sjell një diversitet pikëpamjesh mbi çështjen që është objekt studimi. “Çka është më me rëndësi, gjatë kohës kur jemi ndarë në grupe përherë ora e ligjëratës/ushtrimeve ka qenë më efektive dhe më e qartësuar për ne studentët. Kështu, përmes një bashkëpunimi të tillë frytdhënës mes studentëve është arritur përherë rezultat më i mirë”,  thotë Besarta.

Sipas saj, marrja e  diplomës studente e  dalluar është ndjenjë e veçantë kur vijimi i studimeve katërvjeçare me përkushtim të madh kurorëzohet me një diplomë të tillë që i jep epitetin studente e dalluar e Universitetit me notën mesatare 10. Besarta thotë se diploma është shtytëse që me të njëjtin vullnet dhe përkushtim të vijoj edhe në studimet postdiplomike.