Menaxhmenti dhe studentë të UKZ po qëndrojnë ne vizitë në Universitetin PH Zug të Zvicrës

19 Dhjetor, 2023

Disa studentë të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, nën udhëheqjen e Rektorit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Prorektorit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, po qëndrojnë për një vizitë studimore një javore në Universitetin PH Zug të Zvicrës. Studentë të UKZ që po vijojnë javën e shkëmbimit në PH Zug, janë pritur nga studentët e PH Zug dhe janë vendosur nëpër familjet e studentëve zviceran, të cilët vetëm dy muaj më parë kanë pritur në Gjilan kolegët e tyre-studentët nga PH Zug.

Në vizitën e tyre studimore, studentët e Universitetit tonë të shoqëruar edhe nga studentët e Universitetit ZUG, do zhvillojnë aktivitete të përbashkëta, takime e vizita edukative-arsimore.

Kurse në fillim të vizitës, ditën e djeshme, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, takoi udhëheqësin e zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Z. Patrik Pfeuffer dhe udhëheqësen e projektit me studentë nga PH Zug, Znj. Shpresa Jashari.

Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me bashkëpunimin në të ardhmen në mes dy institucioneve si dhe rreth nënshkrimit të marrëveshjes si Road Map për aktivitetet në planin afatmesëm.

Kjo vizitë do të jetë edhe një mundësi e re për të ngritur nivelin e bashkëpunimit, ku nga bashkëpunimi i ri mes UKZ-së dhe  PH Zug, do të fillohet edhe me shkëmbimin e stafit të dy Universiteteve.

Ky projekt i UKZ-së me PH Zug është një nga projektet më të suksesshme të UKZ-së, sepse në vetvete ka përveç komponentëve akademike edhe komponentë social dhe ndërkulturor për studentët e dy universiteteve.