Lukas Madl Doctor Honoris Causa i UKZ-së mbajti ligjëratë me temën “Kosova dhe Bashkimi Evropian – Sfidat dhe e ardhmja”

19 Maj, 2023

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan ka qëndruar Lukas Mandl deputet në Parlamentin Evropian, njëherësh Doctor Honoris Causa i UKZ-së.

Ai është pritur nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, ku më pas para studentëve dhe stafit të UKZ-së ka mbajtur ligjëratë me temën “Kosova dhe Bashkimi Evropian – Sfidat dhe e ardhmja”.

Ligjëratës së z. Lukas Mandl  i është bashkangjitur edhe Bettina Rausch anëtare e Parlamentit Federal të Austrisë dhe presidente e akademisë politike.

Pas përfundimit të ligjëratës u zhvillua një debat i mirë mes të pranishmëve rreth temave aktuale që ishin interes i studentëve dhe stafit të UKZ-së.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan në muajin janar të këtij viti, i ka dorëzuar z. Lukas Mandl Diplomën “Doctor Honoris Causa”, me motivacionin për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore, në mbështetje dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, në rajon dhe me gjerë, për kontribut në proceset shtetformuese të Republikës së Kosovës, në avokimin e kauzës së Republikës së Kosovës në Parlamentin Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, në përgjithësi, për mbështetje të pakursyer dhe avokim për njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, për përpjekjet e vazhdueshme si raportues për Republikën e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe në Partinë Popullore Evropiane (EPP), për kontribut në themelimin e Shoqatës se Miqësisë Austriako-Kosovare dhe për kontribut në fushën e kulturës e të medias për përhapjen e të vërtetës së Kosovës.