Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu vizitoi Universitetin Publik “Kadri Zeka”
21 Tetor, 2026
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan mirëpriti sot Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, e cila gjatë vizitës zhvilloi një takim me Rektoren e UKZ-së, znj. Fitore Malaj, dhe drejtuesit e universitetit.
Gjatë takimit u diskutua për arsimin e lartë në Kosovë, sfidat me të cilat përballen institucionet universitare, si dhe mundësitë për avancimin e studimit, hulumtimit dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.
Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, znj. Fitore Malaj, e falënderoi Kryetaren Haxhiu për vizitën dhe për bashkëbisedimin me studentët, duke theksuar rëndësinë e lidhjes së universiteteve me institucionet publike dhe shoqërinë.
“Universiteti Publik ‘Kadri Zeka’ është i përkushtuar që studentëve t’u ofrojë jo vetëm dije akademike, por edhe hapësirë për debat, mendim kritik dhe angazhim qytetar. Vizita dhe bashkëbisedimi me znj. Haxhiu janë një mundësi e mirë për studentët tanë që të njihen më nga afër me institucionet demokratike dhe proceset që lidhen me të ardhmen e vendit tonë,” u shpreh Rektorja Fitore Malaj.
Më pas, u mbajt bashkëbisedimi me temën “Diplomacia parlamentare, sundimi i ligjit dhe perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës”, ku morën pjesë studentë, staf akademik dhe të interesuar të tjerë.
Gjatë ligjëratës dhe bashkëbisedimit, znj. Albulena Haxhiu diskutoi me studentët për demokracinë parlamentare, historinë e përfaqësimit politik në Kosovë, rolin e Kuvendit, sundimin e ligjit dhe perspektivën evropiane e euroatlantike të Republikës së Kosovës.
Duke iu drejtuar studentëve, Kryetarja Haxhiu theksoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në proceset demokratike dhe të ndërtimit të një shoqërie ku përgjegjësia qytetare shoqëron të drejtën për përfaqësim.
“Të rinjtë e Kosovës janë plot talent dhe ambicie. Ata meritojnë universitete që ua nxisin kureshtjen, ua zhvillojnë aftësitë dhe u japin mundësinë t’i realizojnë synimet e tyre,” u shpreh znj. Haxhiu.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, z. Selim Daku, vlerësoi se bashkëbisedimet e këtij niveli janë të rëndësishme për studentët, pasi krijojnë mundësi që njohuritë e fituara në auditor të lidhen me përvojat dhe zhvillimet konkrete institucionale.
“Fakulteti i Shkencave Sociale synon të krijojë vazhdimisht hapësira për debat akademik dhe bashkëbisedim me përfaqësues të institucioneve publike. Prania e Kryetares së Kuvendit dhe diskutimi i drejtpërdrejtë me studentët janë një mundësi e vlefshme për të nxitur mendimin kritik dhe interesimin e tyre për proceset demokratike e institucionale,” deklaroi Dekani Selim Daku.
Gjatë bashkëbisedimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka” pati diskutime dhe pyetje të studentëve, duke krijuar një hapësirë të drejtpërdrejtë për shkëmbim mendimesh mbi demokracinë, institucionet, sundimin e ligjit dhe të ardhmen evropiane të Kosovës.Në kuadër të vizitës, Kryetarja e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, vizitoi edhe laboratorin e Shkencave Sociale, ku u njoh nga afër me hapësirat dhe mundësitë që studentët kanë për punë praktike dhe kërkimore.