KONKURS PËR NDARJEN E BURSAVE PËR STUDENTËT ELITARË TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE TË NIVELEVE: BAÇELOR DHE MASTER PËR VITIN AKADEMIK 2019-2020

1 Qershor, 2020

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bazuar në Udhëzimin Administrativ nr. 14/2017 për ndarjen e bursave, Vendimin nr. 41/01B, datë 22.05.2020 dhe duke marrë parasysh rrethanat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 shpall:.

KONKURS

PËR NDARJEN E BURSAVE PËR STUDENTËT ELITARË TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE TË NIVELEVE: BAÇELOR DHE MASTER PËR VITIN AKADEMIK 2019-2020

Kushtet dhe kriteret:

1. Për fitimin e bursës së MAShTI-t, kandidatët duhet t’i plotësojnë këto kushte dhe kritere bazë:
1.1. Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;
1.2. Të kenë përfunduar vitin e parë në studimet BA dhe vitin e parë për studimet MA;
1.3. Të kenë të përfunduar vitet akademike paraprake, pa përsëritje të vitit;
1.4. Të drejtë aplikimi kanë studentët e të gjitha fushave të studimit;
1.5. Të drejtë aplikimi kanë studentët që kanë notën mesatare të studimeve së paku 9.0 të arritur në afatin e provimeve të shtatorit të vitit 2019.
Mënyra e aplikimit:

Duke marrë parasysh rrethanat e shkaktuara nga pandemia COVID-19, MAShTI vendos që aplikimi për këtë vit të bëhet përmes Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve të Universiteteve Publike. Studentët duhet të aplikojnë në institucionet ku ata studiojnë. Universitetet Publike krijojnë kushtet e nevojshme për të mundësuar aplikimin e studentëve në këto platforma sipas kushteve të këtij konkursi dhe lansojnë konkursin brenda platformave të tyre.

– Aplikimi eletronik do të jetë i hapur nga data 08.06.2020 deri më datë 29.06.2020. Lista përfundimtare e studentëve të cilët përmbushin kushtet dhe kriteret për të qenë përfitues të MAShTI-t dorëzohen nga Universitetet Publike në MAShTI.
– Lista e studentëve përfitues do të bëhet publike në uebfaqen e MAShTI-t.
Këshilla juridike:

Kandidatët që kanë aplikuar për përfitim të bursës, kanë të drejtë ankese në afat prej 7 (shtatë) ditësh, pas shpalljes së rezultateve. Ankesat dorëzohen në arkivin e MAShTI-t, kati përdhesë, zyra nr. 4 dhe shqyrtohen nga komisioni për ankesa dhe parashtresa i MAShTI-t.