Në të gjitha fakultete e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajtën sot provimet pranuese në afatin e parë të konkursit për pranimin e studentëve në studimet themelore – bachelor në vitin akademik 2019/2020. Menaxhmeti i Universitetit bashkë me drejtues të Parlamentit Studentor kanë vizituar disa nga sallat ku janë mbajtur provimet pranuese, për të parë nga afër këtë proces. Ata janë shprehur të kënaqur me mbarëvajtjen e ecurisë së testit pranues të studentëve të rinj të cilën dëshirojnë të jenë pjesë e Universitetit tonë, njëherësh të gjithë kandidatëve u kanë dëshiruar suksese në provimin pranues. Shpresë Qamili, Prorektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, tha se procesi i testimit ka shkuar mbarë dhe se nuk ka pasur ndonjë parregullsi.
Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet, programin Menaxhment dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, do të regjistrojë 925 studentë të rregullt në studime baçelor . Nga numri i përgjithshëm i përcaktuar, Universiteti do të regjistrojë deri në 12 % studentë të rregullt nga komuniteti jo-shumicë. Po ashtu , në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT-i, mund të pranohen edhe kandidatët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, 2% e kandidatëve për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç, kurse 1 % e kandidatëve nga Mali i Zi. Po ashtu, në bazë të kuotave, mund të pranohen edhe 2 % e kandidatëve nga Shqipëria dhe Maqedonia, për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç.
Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri më 22.07.2019 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit.
Gjithashtu, është paraparë edhe periudha e ankimit, kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, brenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen.
Shqyrtimi i ankesave bëhet nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave nga fakulteti përkatëse më datë 25.07.2019 duke filluar nga ora 10.00.
Kandidatët të cilët nuk janë pranuar, mund t’i tërheqin dokumentet e tyre në fakultetin përkatës nga data 25.07.2019 deri më 31.07.2019.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan