Teuta Hyseni e cila është Inxhiniere e Lartë e Sigurisë në Microsoft ka mbajtur para studentëve të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Fillimisht, Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Artan Dermaku, i ka dëshiruar mirëseardhje inxhinieres Teuta, derisa e ka falënderuar për kohën e ndarë për të ligjëruara para studentëve të UKZ-së.
Ndërkohë në ligjëratën e saj Teuta ka folur rreth shkollimit, studimeve dhe karrierës së saj. Më pas ligjëratën e ka orientuar kryesisht tek modulet e Office 365, rreth projekteve të sigurisë së aplikacioneve, vlerësimin e defekteve të mundshme brenda aplikacioneve dhe rishikimin e arkitekturës së aplikacioneve.
Ajo tha se e ka filluar karrierën e saj si Inxhiniere Software-i në Rackspace, më pas u transferua në Denim Group dhe Google ku filloi të punonte në anën e sigurisë kibernetike .
Kosovarja e re, tani punon me gjigantin Microsoft, është nga inxhinieret më premtuese në Luginën e Silikonit. Detyra e saj është të mbrojë të dhënat tona nga duart e këqija.
Ajo ka treguar se deri këtu ka arritur pas një rruge të gjatë. Rreth një dekadë më parë, Teuta mbërriti në Amerikë për të studiuar shkencat kompjuterike. Ishte ndër bursistët e përzgjedhur të programit “Arsimim për paqe”, që po dërgonte në Universitetin Luterian të Teksasit studentë të dalluar nga Kosova. Teuta u zgjodh senatore në qeverinë studentore, shërbeu si studente ambasadore për universitetin, dhe u angazhua në komitetin e teknologjisë. Gjatë studimeve, bëri punë praktike si analiste e investimeve në Bulldog Investment Group, programere në organizatën Make-A-Wish Foundation, si dhe asistente e notuese në lëndën e statistikës.
Falë arritjeve akademike dhe përkushtimit ndaj profesionit, u punësua menjëherë pas diplomimit.
Në ndërkohë, duke folur për punën e saj si konsulente edhe për kompaninë Google, tha se çdo klient kishte kërkesat e veçanta, por të gjithë përballeshin me një sfidë të përbashkët: të dhënat e tyre rrezikoheshin nga sulmet dashakeqe. WikiLeaks kishte arritur të shtie në dorë mijëra dokumente të klasifikuara të qeverisë, sulmuesit kishin prekur listat e votuesve dhe plaçkitësit kishin depërtuar brenda institucioneve financiare. Kjo e shtyri Teutën të profilizohej si inxhiniere e sigurisë kibernetike, që do të zbulonte zbrazëtitë në teknologji para se sulmuesit t’i keqpërdornin ato.
“Puna është emocionuese dhe intriguese. Duhet me mendu jashtë kornizave kur je duke vepru si haker,” tha Teuta. “Sot, gati çdo gjë, nga veturat e pajisjet mjekësore e deri te termocentralet, punon me aplikacione softverike. Këto gjëra janë shumë të rrezikshme nëse bien në duart e gabuara.” ka thënë pos tjerash Teuta.
Gjatë ligjëratës së studentëve të UKZ-së, Teuta shpjegoi se krimi kibernetike po kthehet në luftë mes shteteve, dhe këtë çështje duhet ta trajtojmë tani në nivel botëror. Interneti është i hapur për këdo, dhe hakerët mund ta përdorin si armë për manipulim dhe kontroll, andaj është me rëndësi të bëjmë çdo gjë të mundshme me i parandalu” ka thanë inxhiniere e sigurisë së produkteve për kompaninë Microsoft, Teuta Hyseni.
Teuta beson se shoqëria duhet t’i inkurajojë vajzat e gratë që të zgjedhin një karrierë në shkencë e teknologji. “Sa më shumë gra që kemi në fushën e teknologjisë dhe shkencave ekzakte,” thotë ajo, “aq më mirë do të jetë ekonomia globale. Vajzat duhet me i inkuraju qysh në fëmijëri, dhe me i tregu se teknologjia e inxhinieria nuk janë vetëm për djemtë.”
Studentët dhe të pranishmit tjerë e çmuan lart ligjëratën e Teutës rreth sigurisë kibernetike dhe mundësive për ta mbrojtur njerëzimit nga inteligjenca artificiale.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan