Hapja e një kapitulli të ri të bashkëpunimit universitar – takim inspirues mes Rektorit Dërmaku dhe Eurodeputetit Mandl

20 Nëntor, 2023

Një ngjarje e rrallë shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan me botën akademike në Austri. Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka mbajtur një takim shumë inspirues me Eurodeputetin austriak Lukas Mandl, personalitet ky që në muajin shkurt të këtij viti ka pranuar çmimin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Në këtë takim të Rektorit Dërmaku dhe anëtarit të Parlamenit Evropian Mandl, ishin të pranishëm edhe studentë të UKZ-së, staf akademik dhe të ftuar të veçantë, ku u diskutua për mundësitë e një bashkëpunimi të thellë dhe inovativ në fushën e arsimit dhe kulturës. Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, shprehu falënderimin për kontributin e Eurodeputetit Lukas Mandl në promovimin e arsimit dhe kulturës, derisa theksoi se ky takim do të shërbejë si hap i rëndësishëm për të forcuar lidhjet mes dy vendeve, Kosovës-Austrisë dhe se UKZ mbetet e hapur për bashkëpunim me Universitetet në Austri.

Eurodeputeti Lukas Mandl, si një mik i madh i shqiptarëve dhe Kosovës në përgjithësi, shprehu vullnetin e tij për të intensifikuar bashkëpunimin dhe për të ndihmuar në shkëmbimet akademike dhe kulturore në mes të UKZ-së dhe Universiteteve Austriake. Diskutimet në takim u përqendruan mbi projektet e përbashkëta, shkëmbimin e studentëve dhe stafit, si dhe organizimin e ngjarjeve shkencore dhe kulturore.

Studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan morën pjesë aktivisht në takim, duke ndarë pikëpamjet dhe ndërmarrë angazhime të reja për të pasuruar përvojën e tyre akademike.

Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku e ftoi  Eurodeputeti Lukas Mandl që të mbajë ligjëratë para studentëve të Universitetit Publik  “Kadri Zeka” në Gjilan, të cilën ftesë z. Lukas Mandl e pranoi me shumë dëshirë.

Ky takim shënon vazhdimin e ndërtimit të një kapitulli të ri në historinë e bashkëpunimit në sferën arsimore, duke trasuar rrugën për një bashkëpunim të pasur dhe të gjatë në të ardhmen.