GIZ ka filluar trajnimet për studentët e UKZ

7 Qershor, 2018

Në Universitetin “Kadri  Zeka”  në Gjilan ka filluar trajnimet  GIZ CDBE  për studentët e Fakultetit të Edukimit, nën udhëheqjen e Prorektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka dhe  Profesorit Mensur Neziri.

Programi “Mësimdhënia dhe të nxënit  klasa 1 – 5 të shkollës fillore”, ka për qëllim përvetësimin e këtij Programi , të zbatojë në klasat e tyre strategji, metoda dhe teknika ndërvepruese të mësimdhënies dhe të nxënit, të cilat mundësojnë ndërtimin dhe krijimin e dijeve te nxënësit, formimin e shprehive dhe zhvillimin e kompetencave të nxënësve në përputhje me Kornizën e Kurrikulit dhe rezultatet e të nxënit.

Njëherësh ky trajnim ka për qëllim të zhvillojnë imagjinatën dhe krijimtarinë e nxënësve përmes përdorimit të organizuesve grafikë dhe mjeteve të tjera pamore, të cilat ndihmojnë në kuptimin e dukurive natyrore, të aftësojnë nxënësit në hulumtimin e informacioneve të ndryshme në Internet, të cilat ndihmojnë të nxënit e koncepteve natyrore përmes situatave simuluese ose reale dhe zhvillimin e kompetencave të nxënësve në këtë lëndë.

Trajnuesit   e studentëve të Fakultetit të Edukimit të UKZ-së, Festim Shkodra dhe Fehmi  Sylejmani kanë  thënë se tek studentët pjesëmarrës në trajnim ka pasur  përkushtim, seriozitet dhe vullnet, jo vetëm për të ndjekur por edhe për të qenë aktiv gjatë gjithë ditës sa kanë zgjatur aktivitetet.

Derisa, edhe studentët që kanë marrë pjesë në trajnim janë nda mjaft të kënaqur me metodat e mësimit.

Trajnimet në fjalë është si rezultat i bashkëpunimit që UKZ ka me GIZ , dhe do të vazhdojnë të mbahen edhe ditëve të tjera, respektivisht me fillimin e vitit akademik 2018/2019.