Fakulteti Juridik – Programi i Përgjithshëm është riakredituar për periudhën trevjeçare

26 Gusht, 2026

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka pranuar vendim pozitiv nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) për riakreditimin e programit të studimit Juridik i Përgjithshëm, i cili është riakredituar për një periudhë prej tre vitesh.

Vendimi është marrë nga KShC-ja pas shqyrtimit të raportit të ekipit të ekspertëve për programin përkatës, duke konfirmuar vazhdimin e akreditimit të programit Juridik i Përgjithshëm, me 240 ECTS.

Ky rezultat përbën një dëshmi të rëndësishme për angazhimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në ruajtjen dhe avancimin e standardeve të cilësisë akademike, si dhe në ofrimin e programeve studimore në përputhje me kriteret e kërkuara të arsimit të lartë.

Dekanja e Fakultetit Juridik, Fatmire Krasniqi, ka shprehur mirënjohjen e saj për të gjithë kontribuuesit në këtë proces.

“Fakulteti Juridik – Programi i Përgjithshëm, 240 ECTS, është riakredituar me sukses. Ky rezultat dëshmon përkushtimin si dhe angazhimin profesional dhe të ndershëm, gjithnjë në mbrojtje të cilësisë akademike dhe interesit institucional. Mirënjohje të thellë për të gjithë ata që i besuan punës dhe kontribuan në këtë rrugëtim. Falënderime të veçanta për stafin akademik, studentët, alumni-t, partnerët institucionalë, ekspertët ndërkombëtarë si dhe AKA-në për bashkëpunimin dhe profesionalizmin e treguar,” është shprehur Dekanja Krasniqi.

Riakreditimi i programit Juridik i Përgjithshëm për një periudhë trevjeçare shënon një tjetër rezultat të rëndësishëm për Fakultetin Juridik dhe Universitetit Publik  “Kadri Zeka”, duke dëshmuar angazhimin e institucionit për sigurimin e cilësisë dhe zhvillimin e vazhdueshëm të programeve akademike.