Fakulteti Juridik i UKZ-së ka mbajtur ushtrim praktik për studentët “Këqyrja e vendit të ngjarjes”

1 Dhjetor, 2021

 

Me qëllimi  që studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, njohuritë teorike të fituara gjatë studimeve nga fusha e teknikës, taktikës dhe metodikës kriminalistike, t’i zgjerojnë edhe në fushën praktike, sot është mbajtur ushtrim praktik nga Prof. Ass. Dr. Fejzullah Hasani, Prof. Ass. Dr. Fatmire Krasniqi dhe Dr. Sc. Besim Arifi me temën “Këqyrja e vendit të ngjarjes”.

Fillimisht Prof. Ass. Dr. Fatmire Krasniqi ka prezantuar përmbajtjen dhe qëllimin e ushtrimit praktik, derisa Prof. Ass. Dr. Fejzullah Hasani ka folur për rëndësinë e vendit të ngjarjes në procedurën penale, kurse Dr. Sc. Besim Arifi ka prezantuar përmbajtjen e ushtrimit në aspektin teorik (referuar rasteve reale).

Kurse Prorektori për mësim, kërkime shkencore dhe çështje të studentëve Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi, tha se ky aktivitet i sotëm është shumë i rëndësishëm dhe se kjo formë e simulimit është forma më e mirë praktike  për studentët.

Ndërkohë, gjatë ushtrimit praktik të realizuar në  oborrin e Universitetit, studentët më për së afërmi janë njoftuar me disa nga mjetet dhe metodat më efikase në funksion të kërkimit, zbulimit dhe sqarimit të gjurmëve me ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e identifikimit të kryerësit të veprës penale dhe veprës penale konkrete.

Përmes ushtrimit të realizuar, janë simuluar raste dhe studentë kanë parë se si në jetën reale realizohen veprimet hetimore në drejtim të: kërkimit, fiksimit, dokumentimit, fotografimit, matjes, skicimit të vendit të ngjarjes si dhe ekzaminimit të të gjitha gjurmëve dhe provave materiale të cilat gjenden në atë vend.

Ushtrimi u është dedikuar veçanërisht studentëve të vitit të dytë dhe të tretë të studimeve të nivelit bachelor të Fakultetit Juridik si dhe studentëve të Programit Master-Juridiko-Penal.

Mjetet e konkretizimit të përdoruar në ushtrim ishin, një kukull (në formë të viktimës), gëzhoja, substancë e lëngët në formë gjaku, letër e bardhë, aparat fotografik, laptop me projektor dhe mjete të tjera përcjellëse-shtesë në funksion të realizimit të ushtrimit.