Fakulteti Juridik i UKZ-së dhe GjTh e Gjilanit kanë shikuar mundësinë për bashkëpunim në realizimin e praktikës profesionale të studentëve

5 Mars, 2024

Dekanja e Fakultetit Juridik të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Ass. Dr. Fatmire Krasniqi, profesori i katedrës ndërkombëtare Prof. Ass. Dr. Selim Daku njëherësh anëtar i Këshillit Drejtues në UKZ, si dhe sekretarja e njësisë akademike Blerta Dushica, kanë realizuar një takim në Gjykatën Themelore të Gjilanit. Në këtë takim, ata janë pritur nga kryetari i Gjykatës, z. Venhar Salihu.

Diskutimet në këtë takim u përqendruan në mundësitë e bashkëpunimit midis Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe Gjykatës Themelore të Gjilanit, veçanërisht për realizimin e praktikës profesionale të studentëve në këtë institucion gjyqësor.

Praktika profesionale sipas akreditmit të planprogramit studimor të vitit 2020 të Fakultetit Juridik, është paraparë të fillojë në semestrin e tetë të studimeve dhe do të jetë një përvojë e re për studentët. Bashkëpunimi i ngushtë me Gjykatën Themelore të Gjilanit do të jetë thelbësor për suksesin e kësaj praktike.

Një bashkëpunim i tillë është pritur me kënaqësi nga Fakulteti Juridik dhe studentët e tij, dhe siguron një mundësi të shkëlqyer për studentët për të zhvilluar njohuritë e tyre në praktikë.