Fakulteti i Shkencave Aplikative në UKZ shpallet “Mik i Olimpiadave Matematike të Gjilanit”

13 Dhjetor, 2023

Fakulteti i Shkencave Aplikative në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, shpallet  “MIK I OLIMPIADAVE MATEMATIKE TË GJILANIT”

Më 25.11.2023, u mbajt me sukses Olimpiada e XVI Matematike e Gjilanit – OMGJ 2024.

Kjo olimpiadë u organizua nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (ShMK), në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan dhe Fakultetin e Shkencave Aplikative të UKZ-së.

Në olimpiadë morën pjesë rreth 160 nxënës të klasave VIII-XII, të shkollave të mesme të ulëta dhe të larta, publike dhe jopublike, të Komunës së Gjilanit.

Olimpiada u organizua me standarde tejet të larta dhe kushte shumë komode në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Fakulteti i Shkencave Aplikative për vite me radhë po ndihmon organizimin e garave të dijes në matematikë, duke ofruar përkrahje të gjithanshme si me staf, studentë, hapësirë  dhe mjetet tjera të nevojshme për këto organizime. Posaçërisht kontribut në kuadër të kësaj ndihme po japin studentët e programit Matematikë Arsimore dhe Prof. Dr. Xhevdet Thaqi dhe Prof. Asoc. Dr. Ekrem Halimi.

Në shenjë mirënjohje për këtë përkrahje, UKZ ka marrë mirënjohje në vazhdimësi nga organizatorët e këtyre garave, ndërsa sivjet u shpall “Mik i olimpiadave matematike të Gjilanit”.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ndihet i nderuar nga kjo mirënjohje dhe do të mirëpres edhe në të ardhmen këto gara të matematikës si dhe çdo organizim tjetër të dijes.

Pas mbarimit të olimpiadës OMGJ 2024, u shpallen rezultatet zyrtare dhe ekipi që do të përfaqësoj Komunën e Gjilanit në Olimpiadën Matematike të Kosovës – OMK 2024.

I urojmë shumë suksese ekipit të përzgjedhur të Komunës së Gjilanit në olimpiadat vijuese!