Fakulteti i Edukimit ka organizuar punëtorinë e radhës në bashkëpunim me CARITASIN dhe Institutin Pedagogjik të Kosovës

31 Mars, 2022

Fakulteti i Edukimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka organizuar punëtorinë e radhës në bashkëpunim me CARITASIN dhe Institutin Pedagogjik të Kosovës.

Në sesionin e parë u mbajt ligjërata nga Prof. Ass. Dr. Arbona Xhemajli, me temën: Vlerësimi për të nxënë  dhe Vëzhgimi. Në fjalën e saj profesoresha Arbona Xhemajli  tha se vlerësimi na shoqëron secilin prej nesh që në sekondat e para të jetës. Sipas profesoreshës Arbona, në një mënyrë apo në një tjetër, të gjitha vlerësimet në fëmijërinë e hershme përfshijnë një proces të mbledhjes së informacionit për fëmijët, në përpjekje për të kuptuar dhe mbështetur më mirë zhvillimin dhe të nxënit e tyre. “Thelluar në përmbajte, është më e saktë të themi se ne vlerësojmë: sjelljet,  aftësitë ,  kompetencat,  shkathtësitë,  qëndrimet dhe  ndërveprimet e fëmijëve të vegjël se sa të themi se po vlerësojmë fëmijët” ka thanë profesoresha Arbona Xhemajli.

Ndër tjerash ajo ka thanë se, vlerësimi i fëmijëve në vitet e fëmijërisë së hershme është relativisht sfidues pasi është periudha kur normat e rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve janë më të lartat se në të gjitha fazat e tjera.

Sesionet e tjera u realizuan nga Master trajnerët e CARITASIT të cilët organizuan aktivitete të ndryshme praktike të cilat zgjuan kërshërinë e studentëve dhe pjesëmarrësve në këtë punëtori.