DITË E VEÇANTË NË UKZ ME STUDENTË TË SHKËLQYER NË DEBATE

27 Dhjetor, 2019

Klubi i Debatit i UKZ për herë të parë organizoi sot garat debatuese me gjashtë skuadra studentësh nga fakultetet e Universitetit “Kadri Zeka”, me tri tema të ndryshme në fushën e teknologjisë, edukimit, ekonomisë dhe sociologjisë, nën drejtimin e asistentit Avni Rudaku dhe ndihmës teknike-organizative nga studenti Kushtrim Salihu.  Publiku në sallë, i përbërë nga studentë dhe staf akademik, në fund të çdo debati, përreth 36 minutash sa zgjaste, votonte në mënyrë të hapur për skuadrën më argumentuese të studentëve.

Pas ndjekjes së debatit të parë ndërmjet dy skuadrave të studentëve të UKZ-së, nismën e garave të tilla debatuese në universitet, e përshëndeti me një fjalë rasti, edhe rektori i universitetit, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, i cili tregoi për mbështetjen e themelimit të Klubit të Debatit “UKZ” që nga fillimi, duke inkurajuar studentët që të vazhdojnë edhe më tutje me debatet e ngjashme akademike. “Cilësia e studentëve debatues ishte në nivel të lartë akademik. Gjithmonë kam qenë përkrahës i ideve të tilla dhe kam mbështetur nismën për Klubin e Debatit dhe ju përgëzojmë për punën e bërë! Ne kemi qenë nën robëri për kohë të gjatë në histori dhe na ka munguar liria për të debatuar. Debatet e vetme janë zhvilluar dikur vetëm në oda, por në to kanë mbetur anash një pjesë e shoqërisë, sikurse janë fëmijët e të rinjët. Prandaj, sot është kënaqësi që po e jetojmë kohën e debateve ndërmjet studentëve e të rinjve në nivel aq të lartë akademik” – u shpreh Rektori.

Në debatin e parë me temë: “Shkollat nuk na duhen më, kur e kemi sot gugllën (Google apo shkolla?!)”, votat e audiencës në Sallën e konferencave, i mori më së shumti skuadra që mbronte shkollën, e përbërë nga Herolind Ymeri, Alma Zeneli dhe Liona Bllaca, të cilët/të cilat numëruan një sërë argumentesh të nevojës për shkollë, qoftë për socializim, zgjidhjeve e problemeve të vështira me ndihmën e mësimdhënësve, motivimin në shkollë etj., ndërsa skuadra tjetër po ashtu jepte fakte të shumta për efektet pozitive të makinës së kërkimit elektronik për edukim dhe të nxënit vetëzbulues, të cilat e bën publikun në sallë t’i jepte edhe asaj mjaft vota dhe duartrokitje.

Në debatin e dytë me temë: “Nuk duhet të shpenzojmë aq shumë para për të shkuar në planetin Mars, kur një pjesë e madhe e popullsisë botërore vuan ende nga uria”, skuadra e përbërë nga Drinor Qerimi, Leonora Maliqi dhe Genc Salihu, fitoi garën debatuese me katër vota diferencë, pasi që arriti ta “elektrizonte” audiencën, me forcën e argumenteve dhe krijimin e ndjeshmërisë së lartë për vuajtjet dhe varfërinë e një pjese të madhe të popullsisë botërore, në vend se të shpenzohen aq shumë para në eksplorimin e hapësirës kozmike dhe planetit Mars. Njëri nga studentët debatues, emocionoi publikun, duke paraqitur fotografinë e fëmijëve të varfër në Afrikë e gjetiu, ndonëse skuadra tjetër ishte po ashtu bindëse, teksa tregonte të mirat që vijnë nga eksplorimi i universit, në mbrojtjen e shpikjeve të mëdha të njerëzimit, pikërisht falë kureshtjes, shkencës, teknologjisë dhe astronomisë.

Ndërsa në debatin e tretë me temë: “Nuk duhet profesorët dhe studentët të jenë miq/mikesha në Facebook, gjersa janë në periudhën e studimeve”, fitoi me një votë më shumë, skuadra e përbërë nga Zana Bytyqi, Çlirimtare Gashi dhe Endios Pireva, të cilët mbronin qëndrimin, sipas të cilit, nevoja për komunikim onllajn profesor-student, vjen edhe nga zhvillimi i hovshëm tekniko-teknologjik dhe përdorimi në masë të gjerë të medieve sociale sidomos nga studentët, duke e bërë Facebook-un mjet më të përshtatshëm për komunikim, informim dhe njoftim më të shpejtë sesa përmes komunikimit me e-mail, pasi që këtë formë të fundit të komunikimit, studentët po e praktikojnë më pak pas dominimit të platformave të medieve sociale si Facebook. Edhe skuadra tjetër mori mjaft mbështetje nga publiku, duke përmendur rëndësinë e ruajtjes së raportit profesional dhe etik, profesor-student, ruajtjen nga devalvimi në komunikime joformale e private, konflikti i interesit, ndikimet në vlerësim, keqkuptimet në pëlqime, komente dhe biseda të lira onllajn, ndikimet e ndërsjella nga status-et e Facebook-ut nga dyja palët, rregulloret e veçanta në vendet e ndryshme të botës e SHBA-së, rreth rëndësisë së komunikimit zyrtar, etik e profesional në relacionet staf akademik-studentë etj.

Klubi i Debatit “UKZ” do të zhvillojë rregullisht debate me tema të reja dhe do të vazhdojë edhe me krijimin e garave dhe skuadrave të reja debatuese në të gjitha fakultetet.

Sot ishte ditë e veçantë në UKZ, me studentë e studente të shkëlqyera debatuese nga të gjitha skuadrat Pro dhe Contra një teme.