Diplomuan studentët e parë të Matematikës në Fakultetin e Shkencave Aplikative të UKZ-së

26 Korrik, 2022

Në universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në mënyrë solemne filloi mbrojtja e temave të diplomës së studentëve të programit Matematikë Arsimore.

Studentët Festa Hyseni, Besar Maxhuni, Bledar Gashi dhe Leon Ademi, ishin studentët e parë që pas përfundimit me sukses të studimeve 3-vjeçare në programin Matematikë Arsimore, punuan temat e diplomës dhe prezantuan rezultatet e tyre para Komisioneve të Diplomës në Fakultetin e Shkencave Aplikative.

Në ceremoninë simbolike me rastin e diplomimit të studentëve të parë në programin Matematikë Arsimore të FSHA, Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, Prorektor për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, tha se ky akt është një sukses i merituar dhe një ditë e veçantë për studentët, dhe UKZ-në që pas 3 vitesh studimi dhe përgatitje akademike, kurorëzuan ëndrrën e tyre, dhe do të jenë të gatshëm të vazhdojnë studimet e nivelit master dhe/ose të punësohen.

Prorektori Thaqi, Dekanja e FSHA-së Prof. Asoc. Dr. Shpresa Qamili si dhe profesorët, kanë uruar të gjithë studentët të cilët diplomuan sot dhe njëherësh u kanë dëshiruar suksese të mëtejshme në karrierën e tyre profesionale, duke theksuar se, diplomimi si akt është një nga ngjarjet më të shënuara që mbetet thellë në kujtesë, jo vetëm të të diplomuarve, por edhe të familjarëve të tyre dhe sigurisht edhe të menaxhmentit, stafit akademik e administrativ të Universitetit.

Ndërkaq kjo ceremoni është një sukses i merituar dhe një ditë e veçantë për studentët dhe për Universitetin “Kadri Zeka”, ku pas 3 vite themelimi kurorëzohen punët dhe të arriturat, duke u bërë kështu shtytës të punës së mëtutjeshme në të ardhmen.