Delegacioni i UKZ-së vizitoi Parlamentin e Austrisë me ftesë të Deputetit Evropian Lukas Mandl

12 Qershor, 2024

Një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, përfshirë Rektorin Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, dhe profesoreshën Dr. Sc. Shejnaze Gagica, ka realizuar një vizitë të veçantë në kryeqytetin austriak, Vjenë. Delegacioni ishte ftuar special nga Deputeti i Parlamentit Evropian, Z. Lukas Mandl.

Gjatë vizitës së tyre, Z. Lukas Mandl u nderua nga Presidenti i Austrisë me Medalje të Artë Nderi për kontributin e tij të shquar në zhvillimin e demokracisë në Austri dhe në Bashkimin Evropian. Ky nderim vjen si njohje e përpjekjeve të pandalshme të Mandl në promovimin e vlerave demokratike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Deputeti Lukas Mandl, i cili në fillim të vitit 2023 u shpall Doctor Honoris Causa nga UKZ, ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë dhe të frytshme me universitetin. Përmes kësaj lidhjeje, Mandl ka ndihmuar në vendosjen e kontakteve të reja dhe të vlefshme për menaxhmentin e UKZ-së me universitete të ndryshme nga Austria dhe përtej saj, duke zgjeruar kështu rrjetin akademik dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërkombëtar të universitetit.

“Ne jemi shumë krenarë që kemi një mik dhe partner të tillë si Lukas Mandl. Fitimi i mandatit të tij të ri si Deputet i Parlamentit Evropian është një dëshmi e përkushtimit dhe punës së tij të palodhur. Ky bashkëpunim është një mundësi e shkëlqyer për UKZ-në për të zgjeruar rrjetin e saj akademik dhe për të forcuar marrëdhëniet ndërkombëtare,” tha Rektori Artan Dërmaku.

Vizita e delegacionit të UKZ-së në Vjenë dhe në Parlamentin e Austrisë është parë si një hap i rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar të universitetit dhe për të promovuar zhvillimin akademik dhe shkencor të tij. Në takimet dhe diskutimet e tyre, delegacioni i UKZ-së theksoi rëndësinë e këtyre lidhjeve ndërkombëtare dhe shprehu angazhimin e tyre për të vazhduar dhe zgjeruar këto bashkëpunime në të ardhmen.

Kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm për Universitetin Publik “Kadri Zeka” në avancimin e tij drejt një qendre të shquar të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në rajon dhe më gjerë.