Delegacioni i UKZ-së mbajtën dy ligjërata në PH Zug, në fokus, përmirësimi i arsimit përmes teknologjisë dhe analizës së migracionit

22 Dhjetor, 2023

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe studentja e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UKZ Erletë Baliqi, kanë mbajtur një ligjëratë thelbësore me temën “Empowering Education Through Digital Management” në Universitetin PH Zug të Zvicrës. Ligjërata u përqendrua në rëndësinë e përdorimit të teknologjisë dhe menaxhimit digjital në përmirësimin e sistemit arsimor.

Diskutimet dhe interesimet për ligjëratën në fjalë nga të pranishmit, ishin të shumta duke ngritur sfidat dhe avantazhet e teknologjisë në fushën e arsimit. U theksua se në një kohë kur teknologjia është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, është e rëndësishme integrimi i saj në procesin edukativ. Diskutimi u fokusua në mënyrën sesi përdorimi i platformave online, aplikacioneve edukative dhe menaxhimit të të dhënave mund të avancojë mësimin, duke bërë të mundur një përvojë mësimore më të personalizuar dhe efikase.

Kurse prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, ka mbajtur ligjëratë që kishte të bënte me temën e Migracionit, duke analizuar çështjet dhe sfidat që lidhen me këtë realitet në kontekstin e Kosovës. Diskutimi u fokusua në impaktin e migracionit në nivelet individuale dhe shtetërore.

Këto ligjërata janë mbajtur në kuadër të vizitës studimore në PH Zug, ku atje është duke qëndruar Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka dhe disa studentë të UKZ-së.

Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin e UKZ-së me institucionet ndërkombëtare, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e ideve dhe përvojave në fushën e arsimit dhe zhvillimit studentor. Kjo mundësi e re hap rrugën për inovacione dhe përmirësime në strukturën dhe ofertën arsimore të universitetit.