Dekanja e FShA-së në UKZ mori pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim

7 Prill, 2022

Dekanja e Fakultetit të Shkencave Aplikative në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Shpresa Qamili, ka marrë pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin nr.08/L-110 pёr Agjencinë e Kosovës për Akreditim. Ky dëgjim publik u organizua nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport dhe HERAS Plus.

Dëgjimi publik u organizua për të ofruar mundësi që përfaqësuesit e institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, përfaqësuesit nga bota akademike, ekspertët dhe grupet e interesit të ofrojnë vërejtjet dhe rekomandimet e tyre për Projektligjin nr.08/L-110 pёr Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Në këtë debat publik përfaqësuesit e institucioneve dhanë rekomandimet e tyre sa i përket këtij projektligji, i cili është në shqyrtim pas kalimit në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Kërkesat kryesore të institucioneve të arsimit të lartë kishin të bënin me kohëzgjatjen e akreditimeve të institucioneve dhe programeve të tyre, roli i Agjencisë për Akreditim si dhe Komisioni i Ankesave të AKA-së.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se ky projektligj është i rëndësishëm për sigurimin e cilësisë në arsim në vend.

Ministrja tha se me këtë ligj është paraparë pavarësia e AKA dhe sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Arsim, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola tha se pret kontribut nga përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë dhe propozimet e tyre do të merren parasysh për draftimin e Ligjit.

E para që mori fjalën ishte Dekanja e Fakultetit të Shkencave Aplikative në Universitetin Publik “Kadri Zeka” nw Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Shpresa Qamili, e cila kërkoi një qendër trajnimi për të marrë dëshmi për të qenë anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Ajo po ashtu kërkoi të rregullohet në ligj edhe çështja e transferove të studentëve.

“Si ka mundësi që nëse caktohet nga AKA një kuotë prej 25 studentëve dhe 1 studentë kërkon transfer ose në vitin e tretë dhe programi që vazhdon, aty nuk mund të plotësohet numri i studentëve”, tha Dekanja Qamili.

Kurse, rektori i Universitetit të Ferizajt, Agron Bajraktari, propozoi që akreditimet institucionale të jenë së paku 5 deri në 10 vjet.

Rektori i Universitetit të Prizrenit, Samedin Krrabaj tha se për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë duhet të jetë vetëm një anëtar nga një institucion i arsimit të lartë.

Prorektori për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës, Elton Bahtiri, kërkoi që në ligj të përfshihet si bëhet kuorumi i një mbledhje të KShC-së si dhe me emërimin e anëtarëve të bëhet nënshkrimi i një deklarate të etikës.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se struktura e Agjencionit nuk është e rregulluar dhe sipas tij duhet të specifikohet llogaridhënia në ligj. Ai tha se në projektligj duhet të specifikohen edhe ndëshkimet që marrin institucionet për tejkalim të kuotave.

Përfaqësuesi nga Universiteti i Pejës, Edmond Beqiri kërkoi që të largohet kriteri, që institucionet kur aplikojnë të marrin akreditim, të ofrojnë dëshmi që s’janë nën hetime apo të dënuar në 5 vitet e fundit.

Florim Gallopeni nga Kolegji Heimerer tha se çështja e periudhës dhe afati i akreditimit nuk është e përfshirë në këtë ligj. Ai po ashtu kërkoi që vlerësimi i bartësve të programit mos të bëhet nga anëtarët e KShC-së që janë të fushës së mjekësisë, por me këtë çështje të merren ekspertët ndërkombëtarë.

Anëtarja e Komisionit për Arsim nga LDK, Vlora Dumoshi tha se përfaqësuesit e studentëve dhe i industrisë duhet të dihet se a janë me të drejtë vote si anëtarë të KShC-së.

Arianit Krasniqi nga Agjencia për Akreditim e Kosovës tha se AKA qëndron prapa asaj që AKA të jetë agjencion i pavarur, ashtu siç ka qenë kërkesë e ENQA-s.

Anëtarja e Komisionit për Arsim, Eliza Hoxha tha se çështja që duhet të rregullohet me këtë ligj, është se AKA çfarë roli duhet të ketë.

Ndërsa, Granit Curri nga AAB tha se në një rregullore të KShC-së, Komisioni i Ankesave ka pasur të drejtë të plotë të marrë vendime, jo vetëm për çështje procedurale.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e BE-së, Suzana Bytyqi- Jagxhiu tregoi se pozicioni i BE-së është që Agjencia e Kosovës për Akreditim të jetë agjencion i pavarur.

Projektligji për Agjencinë e Akreditimit pritet të rregullojë statusin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe është propozuar të jetë si agjenci rregullatore në proceset dhe përgjegjësitë e akreditimit, riakreditimit, validimit, monitorimit me qëllim të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në Republikën e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës javën më parë e ka miratuar në parim Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Miratimi i Projektligjit për AKA-në është edhe kriter për riaplikim të AKA-së për rikthim në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe regjistrimin në Regjistrin Evropian për Rritje të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).