Kryetari i Këshillit Drejtues, akademik Prof. Dr. Fejzullah Krasniqi dhe Rektori Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi morën pjesë në manifestimin e 45 vjetorit të themelimit të Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë.
Udhëheqësit e UKZ-së u pritën nga rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, Prof. Dr. Ali Jashari. Gjatë pjesëmarrjes në manifestim ata takuan edhe shumë rektorë të tjerë të universiteteve publike dhe të atyre private në Shqipëri.
Rektori Kosumi në fjalën e tij përshëndetëse përcolli urimet e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan. Ai tha se sot ndjehemi të gjithë korçarë. Gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një qyteti është universiteti. Në çastin kur një qytet ka universitetin, ai ka korridorin e komunikimit me botën.
Rektori i UKZ-së gjatë fjalës së tij ndër tjerash ka thënë se: “Unë Korçën nuk e njoh shumë personalisht. Para dy vjetëve kam qenë këtu si vizitor dhe kam vizituar edhe disa pika historike në rrethinë. Por, Korçën e njoh shumë nga librat, e njoh nga poezia, e njoh nga këngët, e njoh nga folkloristika, e njoh nga veprimtaria patriotike.
Sot ju festoni 45 vjetorin e themelimit. 45 vjet janë mosha e pjekurisë për një universitet. Sot nga ju pritet cilësia. Investimi në cilësinë e studimeve, si në universitetin tuaj ashtu edhe në Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan është investimi më i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik dhe për shoqërinë demokratike.
Të supozojmë se brenda pak viteve, Shqipëria dhe Kosova do të jenë në Bashkimin Europian. Nëse ne investojmë në cilësi, dhe të nxjerrim studentë të zotë e me dije europiane, atëherë ne do të konkurojmë me sukses në tregun europian.
Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka një marrëveshje bashkëpunimi me universitetin tuaj. I falënderoj të gjithë pedagogët e dy universiteteve të cilët kanë bashkëpunuar në hartimin e librave, të punimeve shkencore dhe në konferenca shkencore. Ne duhet t’a konkretizojmë edhe më tepër këtë bashkëpunim. Ne kemi cka të mësojmë prej juve”, ka përfunduar fjalimin e tij rektori Bajram Kosumi.
Manifestimi u mbajt në hapësirat e Universitetit ”Fan S. Noli”, të premten, më 18 nëntor.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan