AKA MBAJTI DËGJIMIN PUBLIK PËR DRAFTIN E DOKUMENTIT “KOSOVO SUBJECT AREA CODE”

16 Qershor, 2022

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka mbajtur dëgjimin publik lidhur me draftin e dokumentit “Kosovo Subject Area Code”. Ky dokument do t’u mundësojë institucioneve të arsimit të lartë që të identifikojnë dhe të përshtatin stafin akademik me programin e studimit në të cilin ata do të jenë bartës.

Nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka marrur pjesë Prorektori për Mësim, Kërkime Shkencore,  Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi dhe Dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Merxhan Avdyli.

Në fillim të takimit, Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, profesoresha Hasnije Ilazi, ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim tashmë ka hartuar një dokument i cili bazohet në praktikat ndërkombëtare dhe evropiane, mirëpo merr parasysh edhe nevojat e kontekstit vendor. Ajo ka shtuar se me këtë dokument përjashtohet mundësia e gjykimit subjektiv dhe pasiguria interpretuese.

Kryetarja Ilazi ka thënë se baza e këtij dokumenti do të jetë Erasmus Subject Area Codes, mirëpo dokumenti do të plotësohet me disa nënkategori që iu përshtaten nevojave të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë. Ajo ka thënë se AKA ka vendosur praktika për marrjen e mendimit të të gjithë hisedarëve para se vendosë për politika të reja.

Për tu siguruar se dokumenti është gjithëpërfshirës dhe në harmoni me nevojat e sistemit të arsimit të lartë, dokumenti ruan parimet dhe kriteret e cilësisë të përcaktuara nga standardet evropiane të cilësisë (ESG). Të gjitha propozimet dhe sugjerimet e institucioneve të arsimit të lartë janë evidentuar dhe do të trajtohen nga Bordi i AKA-së.

Dëgjimi publik është përkrahur nga partneri i AKA-së, Projekti “Cilësi, llogaridhënie, integritet dhe transparencë në arsimin e lartë – QAINT” i cili financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).