Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në një bashkëbisedim me stafin akademik të Universitetit “Kadri Zeka”, ka theksuar se UKZ është model për universitetet tjera në republikën e Kosovës.
Ministri Arsim Bajrami gjatë qëndrimit në UKZ, fillimisht është pritur nga Rektori Bajram Kosumi për të vazhduar më pas në takim me stafin akademik të Universitetit “Kadri Zeka” për të bashkëbiseduar rreth“Cilësisë në Mësimdhënie në Republikën e Kosovës”.
Me këtë rast Rektori Bajram Kosumi tha se, sistemi arsimor në Kosovë sado i mirë që është, prapë se prapë nuk është mjaftueshëm i konkurueshëm me vendet e Bashkimit Evropian. Ai tha se duhet të krijojmë cilësi edhe më shumë sepse cilësia është mjet kryesor për zhvillim të qëndrueshëm dhe faktor i rëndësishëm i promovimit institucional.
Ndërsa Ministri Arsim Bajrami duke folur rreth “Cilësisë në Mësimdhënie në Republikën e Kosovës” ka thënë se në Universitetin “Kadri Zeka” ndihet mjaft mirë sepse ky institucion ka një mision, ku të rinjve u jepet një arsim i avancuar në mënyrë që ëndrrën që të bëhen liderë të së ardhmes, ta realizojnë pikërisht në këtu.
Ministri i MASHT-së Arsim Bajrami tha se UKZ është model për universitetet tjera në republikën e Kosovës.
Ai tha se tani asnjë prioritet më të madh nuk ka, se sa Republika e Kosovës si shtet i ri, shtet në zhvillim, të krijojë një arsimi të lartë cilësor.
Krijimi i arsimit të Lartë cilësor, zhvillimi i universiteteve të fuqishme, janë gjenerator të zhvillimit ekonomik, ka thënë Ministri Bajrami.
Ndërkohë, rektori Bajram Kosumi, Ministrit Arsim Bajrami, i ka ndarë mirënjohje për kontributin e dhëne në zhvillimin e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan .
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan