Përshtypjet e profesorëve të cilëve Rektori Bajram Kosumi u dha mirënjohje për kontribut jetësor në arsim

17 Mars, 2017

Faik Shkodra

 

Përshtypjet e profesorit Faik Shkodra të cilit Rektori Bajram Kosumi i dha mirënjohje për kontribut jetësor në arsim, si profesorë i hershëm në Shkollën e Lartë Pedagogjike, pastaj në Fakultetin e Edukimit dhe në fund, në Universitetin “Kadri Zeka”.

Me rastin e 4-vjetorit të themelimit dhe punës së vyer të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Rektori i këtij institucioni të arsimit dhe edukimit të lartë Bajram Kosumi me kulturën e pasur në njohjen e vlerësimin e paçmuar të profesorëve tani në pension, që ishin misionarët e dritës së ardhmërisë e që shpërndanë dritë në mendjet dhe shpirtrat e studentëve, bëri  veprimin më sublim e kulturor duke na nderuar me mirënjohje jetësore për ndihmesën tonë dhënë në Fakultetin e Edukimit dhe në Universitetin “Kadri Zeka”.

Natyrisht, Rektori dhe stafi i tij, prorektorët, dekanët, profesorët, asistentët si dhe grupimet studentore kanë treguar pjekurinë dhe madhështinë intelektuale e profesionale dhe në marrjen e vendimit kanë pasur parasysh vlerat, tiparet dhe kohën e rëndë kur fati ka dashur që edhe në ato vite të hershme të dëshmonim ndërgjegje të lartë e profesionalizëm të thellë në përgatitjen e studentëve. Gjatë ligjërimit, atdheun e shenjtë – Shqipërinë etnike – e nxirrnim të bukur sipas shpirtit e vargjeve të Naimit dhe rilindësve të tjerë, duke ua bërë të qartë studentëve rrugën e lavdishme të shkronjave shqipe dhe e ngrinim në simbol emrin e mësimdhënësit dhe të iluministëve të rilindjes, të cilët siç thotë Çabej, me të gjitha mjetet e mënyrat “në shekullin e kaluar u përpoqën të shtien në popull dritën e dijes e të idesë kombëtare”, për të cilat ide edhe Rektori Bajram Kosumi i bëri disa vite burg. Unë e falënderoj për kujdesin, respektin, nderimin dhe mirënjohjen, e cila në kujtesën time do të mbetet kujtimi më i shtrenjtë që do të më evokojnë vitet kur i kultivuam dhe i ruajtëm vlerat më të shtrenjta të arsimit kombëtar bashkë me studentët në fakultetin e edukimit dhe në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.

Në procesin edukativo-arsimor kam kaluar tërë jetën. Për 45 vjet kam derdhur mundin dhe dijen me nxënës e studentë në të gjitha nivelet e arsimit dhe për të cilët kam shkruar 24 vepra të karakterit edukativ, didaktik, pedagogjik dhe letrar. Mund të them pa hezitim se krenohem me profesionin e mësimdhënësit, sepse siç dihet, të gjitha personalitetet, duke filluar nga Presidenti i shtetit, ministrat, shkrimtarët, shkencëtarët, madje edhe punëtorët duarartë e deri te bariu kalojnë nëpër duart e mësuesit.

Mësimdhënien e karakterizojnë shumë tipare e specifika të llojit të vet. Mësimdhënia asnjëherë nuk është e kënaqshme për studentët. Pra, asnjëherë s’është uniforme. Por, pavarësisht këtyre çështjeve ajo vazhdon të jetë e tillë. Mësimdhënia nuk ka formulë që tregon se e ke përmbushur objektivin dhe planin e paraparë. Mësimdhënësi i mirëfilltë bashkëjeton si me gëzimet ashtu edhe me hallet e brengat e studentëve. Pra, thjesht duhet dashur profesionin. Profesionin e mësimdhënësit duhet konsideruar mision, sepse profesorët, para së gjithash, janë misionarët e shpirtit. Nëse është kështu, atëherë çdo mësimdhënës me ndërgjegjen më të lartë duhet të punojë në realizimin sa më të mirë të qëllimeve arsimore, diturore, kulturore dhe edukative të studentëve. Prandaj, nuk thuhet më kot se burimi  të mirave vjen nga dituria, e kjo rrugë e dijes duhet përcjellë te studentët.

Duke i pasur parasysh këto aspirata, atëherë edhe përpjekjet e profesorëve të Universitetit “Kadri Zeka” bashkë me zotimet e studentëve duhet të shkojnë në përputhshmëri me kërkesat që i shtron koha dhe plan-programet mësimore, sepse kështu edhe kënaqësia bëhet e ndërsjellë. Universitetit i uroj suksese e mbarësi gjithandej hapësirave kombëtare. Ashtu qoftë!

Duke marrë parasysh rolin e çdo institucioni arsimor do të dëshiroja të porosis se sistemi i arsimit duhet të kuptohet, të trajtohet dhe mbrohet si çështja më e rëndësishme kombëtare. Kur kjo fushë rrezikohet me frymën politike, atëherë reagimet duhet të jenë të ashpra sepse arsimi, mbi të gjitha, është drita e ardhmërisë së një kombi, të cilin fakt e kanë dëshmuar iluministët e Rilindjes kombëtare. Arsimi i dhunuar dhe i vërshuar me frymë politike s’prodhon gjë tjetër pos gjysmë analfabetë, snobistë dhe mediokritet. Kjo është shumë e dëmshme për të ardhmen e kombit. Në universitet duhet të mbretërojë veprimtaria efikase, gjithmonë me vizione të qarta dhe falë përpjekjeve maksimale universiteti duhet të dëshmohet si institucion funksional që kultivon dhe ruan vlerat nacionale, vlerat e nxënies së dijeve bashkëkohore. Kjo është në të mirën e universitetit, në të mirën e atdheut, të popullit dhe për këto të mira duhet të punojmë me energji e ndërgjegje të reja, sepse këtë e bëjmë për të ardhmen e brezave tanë dhe për jetën tonë. Këto janë porositë dhe dëshirat që i kam për universitetin “Kadri Zeka” dhe arsimin tonë kombëtar në përgjithësi.

Në fund do të shtoja se duhet që vazhdimisht ta thellojmë kulturën dhe mirëkuptimin në ruajtjen e integritetit dhe të autoritetit të mësimdhënësit, përkatësisht mësuesit, për të cilin  një poet ka thënë: “Edhe kur krytë do të na mbulojnë thinjat, ndërmend do ta sjellim një emër nderues, emrin e dashur, emrin e bukur, emrin e thjeshtë, por të madh, Mësues!”

Sabri Tahiri

Përshtypjet e profesorit Sabri Tahiri të cilit Rektori Bajram Kosumi i dha mirënjohje për kontribut jetësor në arsim, si profesorë i hershëm në Shkollën e Lartë Pedagogjike, pastaj në Fakultetin e Edukimit dhe në fund, në Universitetin “Kadri Zeka”.

Ndarjen e mirënjohjes e konsideroj si një gjest të vullnetit të mirë të rektorit Bajram Kosumi, përmes së cilës shprehet mirënjohja dhe konsiderata e lartë e  tij personale, e stafit akademik e  administrativ dhe e studentëve të Universitetit “Kadri Zeka”, për punën dhe kontributin tim jetësor,rreth 40 – vjeçar në këtë institucion, fillimisht si Shkollë e Lartë Pedagogjike, e cila më pastaj u ngrit në Fakultet të Edukimit, dhe së fundi  në Universitet.

Personalisht, mirënjohjen e përjetova si një akt sublim dhe si shpërblim për detyrën e misionarit të përhapjes së dijes përgjatë punë së përkushtuar shumëvjeçare në edukimin e brezave të rij të studentëve.

Ndihem shumë krenar që shumicën e karrierës sime prej mësimdhënësi e kalova në këtë tempull të dijes, duke përgatitur kuadro të reja për edukatore, mësuese klasor, mësimdhënës të matematikës e të fizikës si dhe kuadro të menaxhmentit e të informatikës, që janë baza dhe shtylla kryesore e arsimit dhe edukimit të brezave të reja në këto hapësira.

Gjatë punës sime prej mësimdhënësi të matematikës dhe të metodologjisë së matematikës në këtë institucion, kohë pas kohe kam kryer edhe detyra menagjeriale, si zëvendës drejtor, shef i departamenteve dhe prorektor universiteti. Por, për mision kryesor jetësor gjithmonë pata formimin e koncepteve matematike dhe pajisjen e studentëve me dije, aftësi dhe shkathtësi matematike, për të përgatitur ata që të kryejnë me sukses detyrat komplekse akademike, në punën e tyre me nxënës ose në detyrat tjera në ekonomi apo në menaxhim të ndërmarrjeve.

Përkundër faktit, që në dekadat e fundit degët arsimore nuk ishin profesione prestigjioze në shoqëri, gjë që rezultoi kryesisht me prurje të studentëve të cilësisë mesatare dhe të punës në kushte mjaft të vështira ( ku për një dekadë mësimi u zhvillua jashtë  objektit dhe në bodrume e kthina të shollës  fillore “Selami Hallaqi”)dhe pa pagesë, ne u munduam që të japim më të mirën të mundurën për studentët tanë,duke ia arritur që të nxjerrim edukatore, mësimdhënës dhe kuadro tjera cilësore.

Gjatë punës sonë shumëvjeçare, arritëm të shkruajmë me dhjetëra punime shkencore e profesionale, të cilat i prezantuam në konferenca dhe nëpër podiumet shkencore si në vend ashtu edhe jashtë, të cilat u botuan edhe nëpër revista të ndryshme shkencore prestigjioze ndërkombëtare. Po kështu, u kujdesëm që për studentët tanë të hartojmë dhe botojmë tekste të përshtatshme mësimore,me të cilat studentëve tanë në masë të madhe u lehtësuam studimet dhe përgatitjen e provimeve. Për këtë qëllim, ne ndamë mjete nga të ardhurat tona personale, që të pajisim bibliotekën me literaturën më bashkëkohore, duke bë që të kemi bibliotekën më të pasur nga të gjitha fakultetet tjera të Universitetit të Prishtinës.

Së fundi, për menagjmentin e universitetit kam porosinë, që të bëjnë të pamundurën për të ndërtuar një kampus universitarë, që siguron kushte dhe hapësirë të mjaftueshme për zhvillimin e mësimit dhe të punës kërkimore – hulumtuese, në përputhje me kërkesat e kohës. Detyrë primare e menaxhmentit dhe stafit akademik në të ardhmen duhet të jetë ngritja e cilësisë së studimeve, përgatitja e kuadrove sa më cilësore të cilat do të jenë në gjendje që të përballen me sfidat e jetës në një botë që po ndryshon me ritme të shpejta, si dhe ngritja e prestigjit të Universitetit të ri “Kadri Zeka” në ranglistën e universiteteve të botës.

Ndërkaq, për brezat e reja të studentëve, porosia ime është që në momentin e përcaktimit për të studiuar në universitet, t’i përvishen punës me përkushtimin më të madh, që të bëhen studentë të suksesshëm dhe të arrijnë kompetencën maksimale, në profesionin jetësor që kanë zgjedhur, për të dhënë nesër kontributin maksimal në zhvillimin e vendit. Kjo, sepse mendoj që brezave që aktualisht janë në bankat shkollore u bie barra e rëndë dhe historike, që shtetin e ri të Kosovës, nga një vend i varfër dhe në zhvillim ta fusin në radhën e vendeve të zhvilluara ekonomikisht.