Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” bashkë me Prorektoren për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve dhe përfaqësues të Fakultetit të Edukimit, kanë pritur në një takim pune përfaqësuesit e Këshillit Nacional Shqiptar të prirur nga kryetari Jonuz Musliu, Zejni Fejzullahu nga Komuna e Bujanocit dhe Gafurr Hyseni kryetar i aktivit të drejtorëve në Preshevë.
Qëllimi i këtij takimi ishte që të shikohet mundësia që Universiteti “Kadri Zeka” të ofrojë resurset e veta akademike dhe profesionale, për trajnimin e kuadrove arsimore që shërbejnë në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me qëllim të ngritjes së aftësive të tyre, duke pasur parasysh që njëzet vitet e fundit në një masë të madhe kanë munguar trajnimet dhe format e tjera të ngritjes dhe aftësimit të qëndrueshëm profesional të këtyre kuadrove arsimore.
Bajram Kosumi Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, shprehu gatishmërinë për mbështetjen e kësaj iniciative të KNSh-së, duke pasur në konsiderim mungesën shumëvjeçare të ofrimit të trajnimeve për mësimdhënësit e këtyre komunave shqiptare, në mënyrë që përfitimet e mësimdhënësve të jenë të atij niveli që të kenë një ndikim më të madh në fushë veprimtarinë e tyre.
Në këtë takim është diskutuar për modalitetet e mundshme të realizimit të këtij aktiviteti duke u fokusuar fillimisht në trajnime të shkurtra me kohëzgjatje kohore dy-tri ditore e më pas të mund të jenë edhe afat gjata. Po ashtu, u bisedua për mundësinë që ky bashkëpunim në mes të UKZ-së dhe KNSh-së të jetë në harmoni me aspektet formalo-juridike, në mënyrë që mësimdhënësit që do të certifikoheshin nga këto trajnime të mund të përfitonin në kuptimin e licencimit dhe ngritjes në karrierë. Në lidhje me këtë u tha që si rrugë më e përshtatshme do të ishte propozimi i temave dhe përfshirja e tyre në Buletinin për përsosmëri profesionale.
Gjatë takimit janë nxjerr edhe disa konkluzione, ku zyrtarët e Universitetit “Kadri Zeka” duhet të hartojnë planin e trajnimit, të sigurojnë kuadrot profesionale, etj. Kurse Këshilli Nacional Shqiptarë duhet të shënojë dhe trajtojë aspektin e kornizës ligjore dhe problemet administrative, duhet të hartojë kërkesat për trajnime, të propozojnë temat e seminareve, të kujdeset për listat e mësimdhënësve për pjesëmarrje për trajnim, të sigurojë sallat mësimore, etj. UKZ dhe KNSH bashkërisht japin certifikatën si dëshmi të pjesëmarrjes në trajnim.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan