Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi me dy institucione të arsimit të lartë në Turqi, Universitetin Aydın dhe Universitetin Nişantaşı të Stambollit, duke krijuar mundësi të reja për mobilitet akademik, shkëmbim studentësh dhe stafi, kërkim shkencor dhe zhvillim të programeve të përbashkëta akademike.
Në përfundim të vizitës zyrtare në Turqi, Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, znj. Fitore Malaj, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Aydın, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, si dhe Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin Nişantaşı të Stambollit.
Marrëveshja me Universitetin Aydın synon zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve përmes mobilitetit akademik dhe shkëmbimit të studentëve, në kuadër të një projekti të ri bashkëpunimi Erasmus+ KA171. Ky partneritet krijon mundësi për studentët dhe stafin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” që të përfitojnë nga përvojat ndërkombëtare, shkëmbimi i njohurive dhe zhvillimi profesional e akademik.
Ndërkaq, Memorandumi i Mirëkuptimit me Universitetin Nişantaşı të Stambollit, përcakton një kornizë më të gjerë të bashkëpunimit institucional në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Memorandumi parasheh bashkëpunim në projekte kërkimore dhe zhvillimore, shkëmbim studentësh, profesorësh, personeli akademik dhe administrativ, shkëmbim të publikimeve akademike, teksteve dhe materialeve shkencore, si dhe organizim të përbashkët të konferencave dhe simpoziumeve shkencore.
Po ashtu, marrëveshja përfshin shkëmbimin e përvojave në mësimdhënie, zhvillimin e programeve arsimore dhe inovacioneve në procesin mësimor, realizimin e hulumtimeve të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë, përgatitjen dhe botimin e materialeve shkencore e metodike, pjesëmarrjen në programe ndërkombëtare dhe shkëmbimin e informacionit për aktivitete e konferenca ndërkombëtare.
Një ndër mundësitë e rëndësishme që parasheh Memorandumi është edhe inicimi i një programi të përbashkët me diplomë të dyfishtë në nivelin bachelor, si dhe krijimi i mundësive për studime në të dy vendet për studentët e nivelit master dhe të diplomuarit, përfshirë shkëmbimin e praktikantëve.
Marrëveshja përcakton gjithashtu bashkëpunimin në përmirësimin e metodologjisë së procesit arsimor dhe zbatimin e standardeve të avancuara ndërkombëtare në arsimin e lartë, si dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të drejtave të pronësisë intelektuale që rrjedhin nga aktivitetet e përbashkëta.
Bashkëpunimi do të zhvillohet përmes programeve të veçanta të punës, të cilat do të përcaktojnë fushat konkrete të aktiviteteve, koordinatorët, format e shkëmbimit dhe aspektet financiare. Realizimi i iniciativave dhe projekteve do të varet nga sigurimi i burimeve financiare, ndërsa të dy universitetet do të angazhohen për të kërkuar mbështetje nga institucione dhe fonde publike e ndërkombëtare.
Përmes këtyre dy marrëveshjeve, Universiteti “Kadri Zeka” vazhdon të forcojë ndërkombëtarizimin, të zgjerojë rrjetin e partneriteteve me universitete në Turqi dhe të krijojë mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik, duke synuar avancimin e cilësisë së arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit institucional.

Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan