Në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi, e cila po zhvillohet nga 23 deri më 26 nëntor 2026, delegacioni i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i përbërë nga Rektorja, znj. Fitore Malaj, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, z. Arben Sahiti, dhe Udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime, z. Betim Berisha, realizoi një takim institucional në Arel University në Stamboll.
Takimi kishte për qëllim avancimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy institucioneve, si dhe krijimin e mundësive të reja për shkëmbime dhe mobilitete ndërkombëtare.
Gjatë takimit u nënshkrua marrëveshja e re e bashkëpunimit Erasmus+ KA171, e cila paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit ndërinstitucional dhe zhvillimit të mobiliteteve akademike ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe Arel University.
Në kuadër të marrëveshjes, të dy universitetet shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë në përgatitjen dhe aplikimin e projekteve të përbashkëta Erasmus+ KA171, me synim krijimin e mundësive të reja për mobilitetin e studentëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira akademike.
Kjo vizitë dhe marrëveshja e nënshkruar përbëjnë një tjetër hap konkret në përpjekjet e Universitetit Publik “Kadri Zeka” për ndërkombëtarizimin e institucionit, zgjerimin e rrjetit të partnerëve akademikë dhe fuqizimin e bashkëpunimit me universitetet ndërkombëtare.

+383 280-390-112
rr.”Zija Shemsiu” pn. 60000 Gjilan, Republika e Kosovës
Apo na kontaktoni dhe do t’ju informojmë sa më shpejtë të jetë e mundur
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan