Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt bashkëbisedimi i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Hajrulla Çeku, me studentët e Universitetit “Kadri Zeka” dhe studentët e tjerë të rajonit të Gjilanit, në kuadër të ciklit të konsultimeve rajonale për hartimin e Strategjisë Shtetërore të Arsimit 2035+.
Takimi, kishte për qëllim krijimin e një hapësire të hapur komunikimi ndërmjet ministrit dhe studentëve, ku këta të fundit patën mundësi të paraqesin drejtpërdrejt shqetësimet, kërkesat, vërejtjet dhe propozimet e tyre për përmirësimin e arsimit të lartë dhe orientimin e tij drejt nevojave të së ardhmes.
Gjatë bashkëbisedimit, studentët ngritën një sërë çështjesh që lidhen drejtpërdrejt me përvojën e tyre akademike dhe kushtet e studimit. Ndër temat kryesore të diskutimit ishin angazhimi i profesorëve pas pensionimit, trajtimi i rasteve të shkeljeve etike, si dhe shqetësimet për trajtimin e barabartë të studentëve dhe zbatimin e kritereve të njëjta akademike për të gjithë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe nevojës për zgjerimin e mundësive për praktika profesionale me pagesë, veçanërisht për studentët e Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit Juridik, përfshirë krijimin e kushteve për simulimin e seancave gjyqësore. Studentët parashtruan gjithashtu pyetje lidhur me bursat, mungesat në ligjërata, infrastrukturën universitare dhe ndërtimin e kampusit.
Ministri Çeku, duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, theksoi rëndësinë e raportimit të rasteve të parregullsive dhe të paraqitjes së fakteve konkrete. Ai i inkurajoi studentët që shqetësimet e tyre t’i adresojnë në mënyrë të organizuar dhe përmes mekanizmave institucionalë, duke theksuar se për çështjet që lidhen me shkeljet etike, mund t’i drejtohen edhe drejtpërdrejt Ministrisë.
Sa i përket praktikës profesionale, ministri theksoi nevojën që ajo të jetë pjesë e mirëfilltë e programeve studimore dhe të ndërlidhet me kërkesat e tregut të punës. Ai përmendi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, institucioneve dhe sektorit ekonomik, në mënyrë që studentët të mos përfundojnë studimet pa përvojën e nevojshme praktike.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe profilizimit të universiteteve dhe harmonizimit të programeve studimore me nevojat reale të tregut të punës. Sipas ministrit, planifikimi i arsimit të lartë duhet të mbështetet në analiza të mirëfillta për kërkesat e tregut dhe zhvillimet demografike, duke synuar programe cilësore dhe mundësi më të mira punësimi për të diplomuarit.
Në kuadër të diskutimit për Strategjinë e Arsimit 2035+, ministri Çeku foli edhe për rëndësinë e reformimit të sistemit të përgatitjes dhe punësimit të mësimdhënësve, përmes provimit shtetëror për mësimdhënie, si një mekanizëm që synon rritjen e profesionalizmit dhe zvogëlimin e ndikimeve politike në proceset e punësimit.
Ministri theksoi se ndryshimet në arsim kërkojnë angazhimin e përbashkët të studentëve, prindërve, mësimdhënësve, universiteteve dhe institucioneve përgjegjëse, duke nënvizuar se Strategjia e Arsimit 2035+ duhet të ndërtohet mbi nevojat reale dhe me kontributin e të gjithë akterëve të sistemit arsimor.
Bashkëbisedimi u karakterizua nga pyetje dhe diskutime të drejtpërdrejta, duke shërbyer si mundësi që zëri i studentëve të jetë pjesë e procesit të hartimit të politikave për të ardhmen e arsimit në Kosovë.

Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan