UKZ pjesë e takimit fillestar të projektit SMART-NOC mbajtur në Sarajevë

12 Nëntor, 2026

Përfaqësues të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan morën pjesë në takimin fillestar (Kick-off Meeting) të projektit evropian SMART-NOC, i cili u mbajt më 9–11 nëntor 2026 në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë. Takimi mblodhi së bashku përfaqësuesit e institucioneve partnere me qëllim të prezantimit të objektivave të projektit, strukturës së zbatimit, paketave të punës, rezultateve të pritshme dhe koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta.

Universitetin Publik “Kadri Zeka” në këtë takim e përfaqësuan z. Arben Sahiti, u. d. Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, z. Lulzim Rashiti, prodekan i Fakultetit Ekonomik, znj. Blerta Dushica, sekretare e Njësisë Akademike, si dhe znj. Vjosa Baftiu, u. d. Udhëheqëse e Divizionit për Zhvillim Akademik dhe Cilësi.

Projekti SMART-NOC synon të rrisë efikasitetin organizativ dhe gatishmërinë digjitale të Komiteteve Olimpike Kombëtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes përdorimit praktik dhe të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale (AI). Projekti fokusohet në zhvillimin e kapaciteteve institucionale, avancimin e proceseve administrative dhe përmirësimin e mënyrës së organizimit dhe menaxhimit të punës përmes zgjidhjeve digjitale dhe mjeteve të bazuara në inteligjencën artificiale.

Një nga komponentët e rëndësishëm të projektit është zhvillimi i një Kornize të Përbashkët të Mjeteve të Inteligjencës Artificiale (AI Toolkit Framework), e cila do të ofrojë udhëzime dhe mjete praktike për përdorimin e AI-së në procese të ndryshme organizative, duke marrë parasysh edhe kërkesat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe parimet e GDPR-së. Po ashtu, projekti parasheh hartimin e planeve institucionale për transformimin digjital, me qëllim të sigurimit të përdorimit të qëndrueshëm të zgjidhjeve të zhvilluara.

Për Universitetin Publik “Kadri Zeka”, pjesëmarrja në SMART-NOC është një mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e kapaciteteve institucionale në fushën e transformimit digjital dhe përdorimit të përgjegjshëm të teknologjive të reja.