Fakulteti i Shkencave Sociale organizoi takim orientues me studentët e vitit të parë

6 Tetor, 2026

Fakulteti i Shkencave Sociale organizoi takim orientues me studentët e vitit të parë, me qëllim të njohjes së tyre me mjedisin universitar dhe ofrimit të informacioneve të nevojshme për një fillim sa më të suksesshëm të studimeve.

Gjatë takimit, Dekani i Fakultetit, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dhe Prodekani, Prof. Ass. Dr. Blerim Haziri, i informuan studentët në lidhje me udhëzuesin për përdorimin e Sistemit të Menaxhimit Universitar (SMU), të cilin ata do ta përdorin në përditshmëri për regjistrimin e semestrave, paraqitjen e provimeve, qasjen në rezultate dhe ndjekjen e njoftimeve akademike. Studentëve iu shpjeguan hapat kryesorë të përdorimit të sistemit, si dhe rëndësia e përditësimit të rregullt të të dhënave dhe e komunikimit përmes kanaleve zyrtare të institucionit.

Në kuadër të takimit, studentët nënshkruan deklaratën etike, me të cilën u zotuan për respektimin e parimeve të integritetit akademik, sjelljes së ndershme dhe korrekte, si dhe për respektimin e rregulloreve dhe vlerave të Universitetit.

Më pas, studentët realizuan një vizitë njohëse nëpër hapësirat e Fakultetit dhe të Universitetit. Ata vizituan zyrën e Dekanit dhe të Prodekanit, zyrat e profesorëve, sallat e mësimit, laboratorin e shkencave sociale, bibliotekën e Universitetit, zyrën e sekretarit, si dhe zyrën e shërbimit të studentëve, ku u njoftuan me shërbimet që ofrohen dhe mënyrën se si mund t’i drejtohen stafit për çështje të ndryshme gjatë studimeve.

Studentët u njoftuan gjithashtu me të drejtat dhe detyrimet e tyre në Universitet, përfshirë vijueshmërinë në ligjërata dhe ushtrime, respektimin e afateve, përmbushjen e obligimeve akademike, si dhe mundësitë për t’u përfshirë në aktivitete, projekte, trajnime dhe iniciativa të tjera që kontribuojnë në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.

Dekani Daku dhe Prodekani Haziri theksuan rëndësinë e komunikimit të hapur ndërmjet studentëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe gatishmërinë e Fakultetit për t’i mbështetur studentët në çdo sfidë që mund të paraqitet gjatë rrugëtimit të tyre akademik.

Takimi u përmbyll me pyetje dhe diskutim të hapur, ku studentët patën mundësi të marrin sqarime për çështjet që i interesojnë lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e studimeve.

Fakulteti i Shkencave Sociale mbetet i përkushtuar që, krahas ofrimit të një arsimi cilësor, të krijojë një mjedis mbështetës, bashkëpunues dhe motivues për studentët që nga ditët e para të studimeve.