U.d. Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, znj. Fitore Malaj, mori pjesë në takimin e rregullt të Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë të Republikës së Kosovës, të mbajtur në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Gjatë takimit, rektorët diskutuan për prioritetet strategjike të arsimit të lartë, sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për avancimin e cilësisë akademike, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndëruniversitar.
Në këtë takim, Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, z. Armand Krasniqi, mori detyrën e Kryesuesit të Konferencës së Rektorëve, duke e pranuar këtë përgjegjësi nga Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, z. Mentor Alishani.
Një nga rezultatet e takimit ishte miratimi i Deklaratës së Konferencës së Rektorëve për vitin akademik 2026/2027, përmes së cilës universitetet publike riafirmuan angazhimin e tyre për bashkëpunim dhe kontribut aktiv në zhvillimin e politikave të arsimit të lartë.
Në fokus të Deklaratës është mbështetja për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+, si dhe forcimi i bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në proceset e reformimit dhe modernizimit të arsimit të lartë.
Po ashtu, u dakordua organizimi i një konference të përbashkët ndëruniversitare gjatë vitit akademik 2026/2027, me fokus në profilizimin e universiteteve publike, digjitalizimin, zhvillimin e shkencës dhe kërkimin shkencor.
Një tjetër nismë e rëndësishme është organizimi i Samitit të Universiteteve Gjithëshqiptare në pranverën e vitit 2027, me Universitetin “Haxhi Zeka” si organizator, ku pritet të marrin pjesë universitete publike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

+383 280-390-112
rr.”Zija Shemsiu” pn. 60000 Gjilan, Republika e Kosovës
Apo na kontaktoni dhe do t’ju informojmë sa më shpejtë të jetë e mundur
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan