UKZ dhe Universiteti i Lucernit thellojnë bashkëpunimin për zhvillimin e start-up-eve dhe bizneseve vendore

13 Tetor, 2026

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan po vazhdon bashkëpunimin me Universitetin e Lucernit të Shkencave të Aplikuara dhe Arteve HSLU në fushën e ndërmarrësisë, inovacionit dhe zhvillimit të start-up-eve dhe bizneseve të vogla e të mesme.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, këto ditë në Universitetin Publik “Kadri Zeka” ka qëndruar Prof. Dr. René Zeier, udhëheqës i “Tailored Booster Week for Startups and SMEs”, si dhe Profesori Martin Barth i specializuar në fushën e turizmit.

Gjatë qëndrimit në UKZ, Prof. Dr. René Zeier u takua me Rektoren e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, znj. Fitore Malaj, Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte z.  Arben Sahiti, Udhëheqësin e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar z. Betim Berisha si dhe Prodekanin nga Fakulteti Ekonomik z.Lulzim Rashiti me të cilën diskutuan për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, si dhe për mundësitë e reja që ky partneritet sjell për studentët dhe bizneset lokale.

Gjatë takimit, Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan znj. Fitore Malaj tha se bashkëpunimi me Universitetin e Lucernit është një mundësi e rëndësishme për ta lidhur më fuqishëm universitetin me botën e biznesit dhe për t’u ofruar studentëve tanë përvoja konkrete në ndërmarrësi dhe inovacion.  “Ne synojmë që këto partneritete të mos mbeten vetëm në kuadër të aktiviteteve të veçanta, por të shndërrohen në bashkëpunime të qëndrueshme me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e studentëve dhe ekonomisë lokale”,  tha Rektorja Malaj.

Në kuadër të vizitës, u zhvilluan takime edhe me disa prej bizneseve vendore të cilat do të jenë pjesë e “Tailored Booster Program 2027”, me të cilat u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm dhe përfshirjen e tyre në ekip së bashku me studentët e UKZ-së. Si rezultat i këtij partneriteti, gjatë vitit të ardhshëm pritet që një grup prej 60-të studentësh nga Universiteti i Lucernit të qëndrojë në Gjilan dhe të angazhohet së bashku me biznese dhe start-up-e lokale, duke punuar në ide, produkte dhe zgjidhje konkrete për zhvillimin e tyre.

“Tailored Booster Week”, është një iniciativë e përbashkët e UKZ-së dhe Universitetit të Lucernit, ku studentët dhe ekspertët punojnë me biznese vendore, në hartimin e planeve dhe zgjidhjeve të personalizuara për zhvillimin e tyre.

Vazhdimi i këtij bashkëpunimi dëshmon për angazhimin e UKZ-së në krijimin e urave ndërmjet universitetit, studentëve dhe sektorit privat, si dhe në zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare me institucione të arsimit të lartë në Evropë, e cila tashmë është zhvilluar edhe me tej duke i shumëfishuar numrat e studentëve pjesëmarrës nga Zvicra duke bashkëpunuar me studentët e UKZ-së.