Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, Selim Daku, ka pritur në një takim Shefin e Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, Mentor Hasani.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën akademike, shkencore dhe institucionale, me synim zhvillimin e iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në avancimin e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.
Një nga temat kryesore ishte përfshirja e profesorëve dhe punonjësve shkencorë të Departamentit të Historisë në Konferencën Shkencore “Flaka e Janarit: Sakrifica, Rezistenca dhe Kujtesa Kombëtare (1980–1999)”, e cila do të organizohet nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Komuna e Gjilanit.
Dekani Selim Daku theksoi rëndësinë e kontributit të studiuesve të historisë në trajtimin akademik të temave të konferencës, duke i ftuar profesorët dhe punonjësit shkencorë të Departamentit të Historisë të marrin pjesë me kumtesa dhe diskutime shkencore.
Nga ana e tij, Shefi i Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, Mentor Hasani, shprehu gatishmërinë për t’u përfshirë aktivisht në konferencë dhe për të kontribuar në realizimin e saj me pjesëmarrje akademike dhe shkencore.
Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë takimit ishte nisja e një hulumtimi të përbashkët për rajonin e Gjilanit, me fokus në dokumentimin dhe studimin e shtëpive-shkolla, të cilat përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së arsimit dhe të rezistencës qytetare në Kosovë gjatë viteve ’90-ta.
Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu mundësi të reja bashkëpunimi në zhvillimin e kurrikulave, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike, zgjerimin e bashkëpunimeve ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore.

+383 280-390-112
rr.”Zija Shemsiu” pn. 60000 Gjilan, Republika e Kosovës
Apo na kontaktoni dhe do t’ju informojmë sa më shpejtë të jetë e mundur
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan