Një delegacion i stafit akademik të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan mori pjesë në një trajnim intensiv treditor për ndërmjetësim (mediation), i cili u zhvillua në qytetin e Arnhemit, në Holandë, në organizim të Netherlands Business Academy (NLBA), në kuadër të projektit Erasmus+ Capacity Building MEDIATOR – Modernizing Education with Dispute Intervention and Training for Occupational Readiness.
Delegacioni i Universitetit Publik “Kadri Zeka” u udhëhoq nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, i cili gjithashtu mori pjesë aktive në të gjitha sesionet e trajnimit. Trajnimi kishte për qëllim përgatitjen e stafit akademik për zhvillimin dhe zbatimin e programeve të ndërmjetësimit në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë dhe Shqipëri.
Programi i trajnimit përfshiu një gamë të gjerë temash, duke filluar nga bazat e ndërmjetësimit dhe menaxhimi i konflikteve, procesi i ndërmjetësimit, analizimi i personalitetit, teknikat e komunikimit, de-përshkallëzimi i konflikteve, qasja sistemike, menaxhimi i interesave dhe dilemave etike, si dhe ushtrime praktike të bazuara në raste konkrete. Gjatë tri ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit u angazhuan në ligjërata, simulime dhe punë praktike, me synim zhvillimin e kompetencave profesionale në fushën e ndërmjetësimit.
Ky trajnim përfaqësoi një hap të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve akademike të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, duke kontribuar në modernizimin e mësimdhënies, zhvillimin e kompetencave profesionale të stafit akademik dhe harmonizimin e praktikave universitare me standardet evropiane në fushën e zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve (ADR).
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan