Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi ka pritur në një takim Kryetarin e Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri. Qëllimi i këtij takimi kishte të bënte me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për digjitalizimin e shërbimeve në ndërmarrjen publike “Stacioni i Autobusëve” dhe digjitalizim të shkollave të mesme, përmes ueb faqeve, në mënyrë që dy nivelet e institucioneve, në këtë rast Komuna dhe Universiteti të jenë përfituese. Dy nënshkruesit e marrëveshjes Rektori Bajram Kosumi dhe kryetari Lutfi Haziri kanë thënë se kjo marrëveshje u ofron qytetarëve informacione të mjaftueshme, ndërsa studentëve njohuri praktike se si të punohet praktikisht në profesionin e tyre.
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, ka thënë se kjo marrëveshje është shumë e mirë, sepse sipas tij si praktikë nuk është e shpeshtë në universitetet tjera, por, këtë punë që do ta bëjnë studentët e Fakultetit të Shkencave Kopmjuterike të Universitetit tonë është mjaft e mirë edhe për studentët, sepse përpos diplomës së notuar, prapa vetes ata do të marrin edhe një përvojë të mirë në realizimin e punëve të pavarura me një përgatitje të mirë profesionale për tregun e punës.
Ndërsa Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se programin për digjitalizimin e të gjitha shërbimeve në Stacion të Autobusëve dhe të gjitha shkollave të mesme, të cilin do ta bëjën studentët e Universitetit “Kadri Zeka”, respektivisht ata të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike është hapi i parë i madh i bashkëpunimit dhe i mbështetjes që rektorati përmes dekanatit dhe studentëve do t’i japë mbështetje ndërtimit të ueb faqeve, organizmit të shërbimeve dhe aspekte tjera në shërbim të Gjilanit dhe më gjerë. Ai ka shtuar se Gjilani tashmë është pjesë e “Smart City”, program i cili mundëson teknologji të ndryshme si “IOS”, “Android” dhe programe të tjera të qasen dhe të jenë pjesë e Komunës, duke shtuar se universitei do të prodhoj kuadro që do ta zhvillojnë edhe vendin tonë.
Rektori Kosumi dhe kryetari Haziri janë shprehur se do të vazhdojnë bashkëpunimet edhe në programe të tjera që janë në interes të Universitetit e Komunës, që të arrijmë qëllime të përbashkëta, që Gjilani dhe Anamorava ta zënë hapin e madh të zhvillimit të gjithmbarshëm jo vetëm në sektorin e arsimit, por, edhe në zhvillimin ekonomik.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan