Ftesë për pjesëmarrje në prezantimin e kompanisë amerikane të teknologjisë Agilyti organizuar nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike

8 Dhjetor, 2025

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” do të organizojë një prezantim nga përfaqësues të kompanisë amerikane Agilyti, një firmë konsulence dhe teknologjie që vepron në fushat e AI, të Dhënave, Cloud dhe Inxhinierisë së Softuerit.

Organizimi mbahet të martën, më 9.12.2025, në ora 15:00, në amfiteatrin B01.

Prezantimi do të udhëhiqet nga Andre Chapman, CEO i Agilyti, i cili do të paraqesë aktivitetet e kompanisë, bashkëpunimin e tyre me ekipin e inxhinierisë në Kosovë, si dhe mundësitë që ofrohen për studentët përmes një Feature Challenge 3-mujor, një përvojë praktike vullnetare e orientuar nga industria.

Ky aktivitet synon të ofrojë studentëve njohuri reale nga praktika profesionale, mundësi për avancim, si dhe perspektiva të mundshme punësimi apo praktike në projekte ndërkombëtare të Agilyti.

Ftohen të gjithë studentët, stafi i Universitetit dhe palët e  interesuara të marrin pjesë dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi të vlefshme për t’u njohur me zhvillimet bashkëkohore në fushën e teknologjisë.