Mbahet mbledhja konstituive e Konferencës së Rektorëve

16 Qershor, 2016

22 image-0.02.01.0bb9c81adf8e7f4e44ca8fb4a3cbbf6f0e24e0288d97a2166a0d00dae2da0be2-V

Në mbledhjen e parë konstituive të Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në Kosovë, ka marrë pjesë Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,  Arsim Bajrami.

Themelimin e Konferencës së Rektorëve, ministri Bajrami e ka vlerësuar si ngjarje të rëndësishme, duke theksuar  se ky organ është themeluar pas një tradite gati gjysmëshekullore të arsimit të lartë. Ai ka thënë se është një sukses i përbashkët i të gjitha universiteteve tona publike dhe MAShT është jashtëzakonisht e kënaqur që e ka ndihmuar këtë proces, sepse tanimë Konferenca e Rektorëve do të jetë një organ shumë i rëndësishëm i ndërtimit të standardeve në arsimin e lartë, duke shtuar se përmes këtij organi po fillojmë procesin e stabilitetit në arsimin e lartë, procesin e ngritjes së cilësisë dhe rritjes së besimit në opinion.

Duke folur për rëndësinë e Konferencës së Rektorëve, ministri Bajrami, ka thënë se ky mekanizëm i fuqishëm do të jetë partner i fuqishëm për MAShT në politikat e regjistrimit të studentëve, në hartimin e legjislacionit, në rritjen e buxhetit për universitetet publike dhe fusha të tjera.

Ministri i Arsimit në Kosovë, ftoi të gjithë partnerët që të mbështesin universitetet, që të besojnë se ne mund të ndërtojmë një arsim të lartë cilësor, duke theksuar kështu gatishmërinë e rektorëve që të bashkëpunojnë mes vete për të ndërtuar universitete modern, ndërsa shtoi se MAShT do ta mbështes këtë organ, i cili në punën e vet do të jetë plotësisht autonom.

Në këtë mbledhje, anëtarët e Konferencës, pjesë e së cilës ishin të gjithë rektorët e institucioneve publike të arsimit të lartë, kanë miratuar edhe Rregulloren e Punës së Konferencës së Rektorëve, ndërsa sipas UA 11/2016 është zgjedhur edhe kryesuesi dhe zëvendës kryesuesi  i saj. Për dy vitet e ardhshme Konferenca do të kryesohet nga rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” z. Marjan Dema, ndërsa, zëvendës kryesues do të jetë rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, z. Ramë Vataj.

Kryesuesi i Konferencës, z. Marjan Dema, me këtë rast, theksoi edhe gatishmërinë e Universitetit të Prishtinës që të jetë në funksion të plotë të realizimit të rolit dhe përgjegjësive që ka ky mekanizëm i arsimit të lartë.

Ndryshe, Konferenca e Rektorëve e themeluar ditë më parë nga MAShT, si një mekanizëm që do të ndihmojë në harmonizimin e politikave strategjike zhvillimore të Arsimit të Lartë në Kosovë,  do të udhëhiqet sipas sistemit të rotacionit duke filluar nga Universiteti i Prishtinës e me radhë (sipas numrit të studentëve).

Rektorët e universiteteve do të takohen disa herë në vit dhe së bashku të diskutojnë për politikat zhvillimore, shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e nevojave të institucioneve të tyre, duke propozuar raporte, këshilla dhe rekomandime për menaxhmentin e MASHT-it.

33