Instituti për Studime Ligjore dhe Demokratike (ISLD) në bashkëpunim me Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan kanë bashkë organizuar konferencën e IV-të Shkencore Rajonale me temë: “Ndryshimet në shoqëri përmes reformave, me theks të veçantë në arsim, drejtësi dhe ekonomi”.
Hapjen e Konferencës e bëri Kryetari i Bordit të ISLD-së Flamur Hyseni, i cili falënderoi mysafirët për pjesëmarrje posaçërisht ata me punime shkencore, njëherësh falënderoi Rektorin e UKZ-së, Bajram Kosumin për mbështetjen që i ka dhënë konferencës dhe për kontributin e tij në menaxhim të jetës universitare në Gjilan.
Ndërkohë në fjalën e tij Rektori Bajram Kosumi theksoi se tema e konferencës është shumë jetike dhe e rëndësishme për shoqërinë tonë. Sipas tij reformat janë të mirëseardhura, por për të bërë reforma duhet të ekzistoj forca dhe vullneti i brendshëm i qytetarëve.
Kurse Ministri i Zhvillimit ekonomik z. Lutfi Zharku tha se reformat për të pasur kuptim të mirëfilltë në një shoqëri duhet të bëhen edhe në fushën e ekonomisë në mënyrë që të kemi stabilitet financiar dhe monetar në vend.
Ndërsa Kryetari i Këshillit Gjyqësor Nehat Idrizi, temën e konferencës mbi reformat e trajtoi nga prizmi i jurisprudencës dhe rëndësisë së reformave në sistemin gjyqësor në Republikën e Kosovës. Kryetari Idrizi theksoi se efikasiteti i reformave në shoqëri varet nga mënyra se si i ndërmarrim hapat reformues të sistemit gjyqësor të vendit, sepse çdo fushë tjetër e shoqërisë çdo ditë varet nga funksionimi i sistemit gjyqësor dhe drejtësisë në përgjithësi.
Me një fjalë rasti u paraqit edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i cili shprehu gatishmërinë që të shtrijmë bashkëpunimin ndër rajonal me të vetmin qëllim që të kemi një reformim të jetës në përgjithësi për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovën Lindore dhe në Kosovë në përgjithësi.
Në përfundim të ceremonisë hapëse të konferencës së IV-të shkencore rajonale kryetari i ISLD-së Flamur Hyseni dhe Sekretari i ISLD-së Burim Haliti i kanë ndarë mirënjohje Prof.Dr. Sadik Rashitit për vlera të larta njerëzore, intelektuale, akademike dhe shkencore.
Konferencën e IV-të Shkencore Rajonale me temë: “Ndryshimet në shoqëri përmes reformave, me theks të veçantë në arsim, drejtësi dhe ekonomi” , zgjoi interesimin e më shumë se 105 punëtorëve shkencorë nga 6 shtete të ballkanit (Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova Lindore – Serbia dhe Republika e Kosovës). Ndërkaq të gjithë të pranishmëve të cilët kanë bërë prezantimin e punimeve u janë ndarë materiale dhe certifikatat për pjesëmarrje.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan