Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur tryeza e diskutimit e Këshillit të Mirëbesimit të Fakultetit të Shkencave Sociale. Ky takim u kryesua nga kryesuesi i Këshillit, Migjen Fazliu, ku morën pjesë drejtues të fakultetit, profesorë, studentë dhe anëtarë të tjerë të këtij Këshilli.
Në këtë mbledhje u miratua rendi i ditës dhe u diskutua mbi roli dhe funksioni i Laboratorit të Fakultetit të Shkencave Sociale, i cili do të jetë një ndihmesë e rëndësishme në realizimin dhe implementimin e projektit të Komisionit Evropian Erasmus+ DELTA, ku UKZ është partnere. Takimi u mbajt pikërisht në ambientet e Laboratorit të Shkencave Sociale, që do të shërbejë si një qendër praktike për studentë e staf akademik, për zbatimin e metodave bashkëkohore kërkimore – si ato kualitative (intervista të thella, analiza përmbajtjeje, fokus-grupe), ashtu edhe kuantitative (anketim, analizë statistikore), duke mundësuar kombinimin e metodave dhe zhvillimin e kompetencave kërkimore të studentëve dhe stafit.
Laboratori do të jetë një mjedis praktik ku studentët, profesorët, asistentët dhe palët e tjera të interesit do të kenë mundësi të eksperimentojnë, të analizojnë të dhëna nga terreni dhe të aftësohen në përdorimin e mjeteve bashkëkohore kërkimore. Ai do të mbështetet gjithashtu nga projektet ndërkombëtare, përfshirë projektin Erasmus+ DELTA, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve kërkimore të Fakultetit të Shkencave Sociale.
Gjithashtu, në këtë tryezë të rrumbullakët u diskutua për Projektin SHER, i cili mbështet krijimin e një programi të përbashkët të studimeve master me Universitetin “La Sapienza” në Romë. Gjatë takimit, pjesëmarrësit u informuan për përpjekjet e fakultetit drejt hapjes së programeve të reja master në bashkëpunim me Universitetin “La Sapienza”, Universitetin e Bankokut dhe Universitetin e Kigalit në Ruanda, si dhe për iniciativën për zhvillimin e një programi “Double Degree” në nivelin baçelor me Universitetin e Durrësit.
Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, prezantoi në detaje programin që Fakulteti i Shkencave Sociale është duke e zhvilluar me “La Sapienza”, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për avancimin akademik dhe shkencor të fakultetit. Ai po ashtu paraqiti hapat që janë ndërmarrë drejt akreditimit të programit të ri dhe rolin e partneriteteve ndërkombëtare në ngritjen e cilësisë së arsimit.
Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, foli për sfidat dhe mundësitë që ofrojnë këto iniciativa, duke theksuar përkushtimin e fakultetit në forcimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe zhvillimin e kapaciteteve kërkimore dhe akademike të stafit.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua dy projekteve kërkimore të realizuara gjatë vitit 2025, në të cilat studentët dhe stafi dhanë kontribut të vlefshëm në fushën akademike. Po ashtu, u prezantuan planet për një projekt të ri kërkimor që pritet të zhvillohet gjatë vitit akademik 2025/2026, në kuadër të përpjekjeve për të fuqizuar kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin institucional.
Në vijim të kësaj tryeze, u zhvillua edhe një punëtori pune me grupin punues të krijuar në kuadër të projektit EDUFAIR (ERASMUS-EDU-2024-CBHE-STRAND-1, Project No. 101175331). Qëllimi i punëtorisë ishte koordinimi dhe angazhimi i stafit akademik dhe administrativ në finalizimin e Udhëzuesit praktik për Inteligjencën Artificiale (AI) në Universitetin Publik “Kadri Zeka”. Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave të projektit, i cili synon të zhvillojë strategji digjitale dhe udhëzues etik për përdorimin e AI në institucionet e arsimit të lartë.
Përmes kësaj tryeze dhe punëtorie, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe stafi i UKZ-së po dëshmojnë përkushtim të qartë ndaj inovacionit, zhvillimit shkencor dhe përdorimit të përgjegjshëm të teknologjive të reja, duke e pozicionuar Universitetin Publik “Kadri Zeka” si një institucion aktiv dhe modern në skenën akademike ndërkombëtare.

Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan