Shoqata e Alumni-ve të Chevening në Kosovë, në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Kosovë, ka organizuar sot në Universitetin Publik “Kadri Zeka” një sesion informues mbi mundësinë e studimit në Mbretërinë e Bashkuar përmes bursës prestigjioze Chevening.
Sesioni u mbajt nga ish-bursistët Aferdita Rushiti dhe Dardan Velija, të cilët ndanë përvojat e tyre personale gjatë studimeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe mundësitë që kjo bursë ofron për të rinjtë nga Kosova.
Bursa Chevening është program i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, që u mundëson liderëve të rinj me potencial nga e gjithë bota të ndjekin studime njëvjeçare master në universitetet britanike. Ajo është plotësisht e financuar, duke i lënë studentët të përqendrohen tërësisht në arritjen e qëllimeve profesionale dhe në përjetimin e një eksperience unike.
Për një vit, bursistët jetojnë dhe studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar, duke zhvilluar aftësitë e tyre profesionale e akademike, duke krijuar rrjete të gjera bashkëpunimi, duke u njohur me kulturën britanike dhe duke ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me Mbretërinë e Bashkuar.
Pas përfundimit të studimeve, ata kthehen të pajisur me njohuri, përvoja dhe lidhje të reja, që i ndihmojnë të realizojnë idetë e tyre dhe të kontribuojnë në komunitet.
Gjatë sesionit, studentët dhe pjesëmarrësit patën mundësi të mësojnë më shumë rreth:
* Procesit të aplikimit dhe afateve kohore;
* Kritereve të përzgjedhjes;
* Mundësive që hapen pas përfundimit të studimeve.
Ky aktivitet synon të motivojë të rinjtë kosovarë që aspirojnë zhvillim akademik dhe profesional, duke i inkurajuar të aplikojnë për një nga programet më prestigjioze të bursave në botë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan