Eko-ulëse me energji solare vendoset në UKZ nga MMPHI në kuadër të Javës Evropiane të Lëvizshmërisë 2025

19 Shtator, 2025

Në kuadër të aktiviteteve për Javën Evropiane të Lëvizshmërisë 2025, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  e Kosovës (MMPHI) ka dhuruar dhe vendosur një eko-ulëse me energji solare në hapësirat e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Universiteti ka siguruar një vend të përshtatshëm në oborr, i cili është i ekspozuar ndaj diellit gjatë gjithë ditës dhe shfrytëzohet rregullisht nga studentët. Kjo ulëse moderne u ofron studentëve dhe stafit mundësinë për të pushuar, për të shfrytëzuar energjinë e ripërtëritshme dhe për të pasur qasje në teknologji të gjelbra brenda ambientit universitar.

Në këtë ngjarje morën pjesë Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, si dhe zyrtarë të MMPHI-së. Gjatë fjalës së tyre, ata theksuan se vendosja e kësaj eko-ulëseje është një shembull konkret i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe atyre shtetërore, me synim promovimin e energjisë së pastër, kujdesit ndaj mjedisit dhe ndërgjegjësimit të gjeneratave të reja për rëndësinë e lëvizshmërisë së qëndrueshme.

Rektori Dermaku, në fjalën e tij, tha se vendosja e kësaj eko-ulëseje është një hap i vogël, por shumë domethënës drejt krijimit të një kampusi më miqësor me mjedisin. Studentët tanë jo vetëm që do të përfitojnë nga përdorimi i teknologjisë së gjelbër, por edhe do të ndërgjegjësohen më shumë për rëndësinë e energjisë së pastër dhe lëvizshmërisë së qëndrueshme. “Universiteti ynë do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së studentëve dhe komunitetit,” ka thënë Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.

Ky aktivitet është pjesë e nismave të shumta që po realizohen në Kosovë për të përkrahur tranzicionin e gjelbër dhe qëndrueshmërinë mjedisore, duke u fokusuar në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe promovimin e alternativave ekologjike.