UKZ dhe Universiteti i Romës La Sapienza drejt krijimit të një Masteri Shkencor të përbashkët

12 Shtator, 2025

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Universiteti i Romës La Sapienza po bashkëpunojnë në hartimin e një programi Master Shkencor të përbashkët, i cili pritet të ofrojë mundësi të reja studimi dhe zhvillimi akademik për studentët.

Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me ekipin e tij, Prof. Dr. Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, dhe Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, Anëtare e Këshillit Drejtues, gjatë kësaj jave kanë zhvilluar një vizitë studimore në La Sapienza. Qëllimi i vizitës ka qenë puna e përbashkët me ekipin e këtij universiteti për krijimin dhe zhvillimin e programit Master.

Kjo vizitë dhe ky bashkëpunim i mundësuar në kuadër të projektit SHER – Sustainable Higher Education and Research in Kosovo, përfshin organizimin e punëtorive të përbashkëta, ku të dy ekipet, kanë punuar në hartimin e programit, përmbajtjen e kurseve dhe mundësinë e aplikimit për akreditim ndërkombëtar.

Gjatë takimeve u theksua edhe përfshirja e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, si Universiteti Chulalongkorn nga Bangkoku dhe Universiteti i Kigalit nga Uganda, duke e shndërruar këtë iniciativë në një master transnacional me ndikim përtej kufijve evropianë.

Në ditët në vijim pritet të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi mes UKZ-së dhe dy departamenteve të La Sapienza-s, hap që do të mundësojë aplikimin për fazën e dytë të projektit SHER dhe akreditimin ndërkombëtar të programit, i cili do të zhvillohet në gjuhën angleze. Studentët që do të ndjekin këtë program do të kenë mundësinë të lëvizin çdo semestër në universitetet partnere.

Ky është një hap i rëndësishëm për UKZ-në, e cila tashmë ka përvojë me programe të përbashkëta Master në nivel kombëtar dhe tani po e shtrin këtë praktikë edhe në planin ndërkombëtar.