Fakulteti i Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka zhvilluar punëtorinë e radhës me qëllim të finalizimit të draftit të Raportit të Vetë Vlerësimit Vetjak (RVV), për riakreditimin e programit Arsimi Fillor. Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm në procesin e sigurimit të cilësisë dhe të ngritjes së standardeve akademike në këtë program studimi.
Në punëtori morën pjesë stafi akademik dhe administrativ i Fakultetit të Edukimit, si dhe përfaqësues nga njësitë e tjera mbështetëse të Universitetit. Diskutimet u fokusuan në përfundimin e draftit të raportit, i cili përmban një analizë të hollësishme të zhvillimeve në program, përfshirë kurrikulën, kualifikimet e stafit, infrastrukturën mësimore, aktivitetet kërkimore dhe praktikat pedagogjike.
Dekani i Fakultetit të Edukimit Merxhan Avdyli në fjalën e tij theksoi se përgatitja e këtij raporti është një proces i domosdoshëm që reflekton seriozitetin e institucionit për të siguruar cilësi të lartë në arsimimin e studentëve. Ai shtoi se riakreditimi i programit Arsimi Fillor është një kërkesë dhe një mundësi për të forcuar identitetin akademik të fakultetit dhe për të përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme ofertën studimore.
Pjesëmarrësit në punëtori dhanë kontributin e tyre me sugjerime konkrete për pasurimin e raportit, duke u fokusuar në përshkrimin e qartë të rezultateve të të nxënit, integrimin e praktikave të mira, si dhe evidentimin e sfidave që kërkojnë adresim në të ardhmen.
Në përmbyllje të punëtorisë, u arrit konsensus që drafti i përfunduar i RVV-së të përgatitet për dorëzim pranë Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në përputhje me afatet dhe udhëzimet e përcaktuara. Ky hap përbën një fazë të rëndësishme drejt sigurimit të riakreditimit, i cili do të mundësojë vazhdimësinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të programit.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan