Stafi akademik i FSHS-së mori pjesë në seminaret verore mbi Lindjen e Mesme

2 Shtator, 2025

Fakulteti i Shkencave Sociale i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan vazhdon të fuqizojë zhvillimin profesional të stafit akademik përmes pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare shkencore.

Dekani i FSHS-së, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, së bashku me Prof. Ass. Dr. Avni Rudaku, ligjërues i disa lëndëve që lidhen me sociologjinë politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, morën pjesë në Seminaret Verore mbi Lindjen e Mesme, të organizuara nga Instituti Nexus në Prishtinë.

Seminaret u zhvilluan për pesë ditë, të shtrira përgjatë pesë javëve, ku katër ditë u realizuan në formë online dhe një ditë me prezencë fizike në objektin e Institutit Nexus. Ligjërues ishte studiuesi i njohur i Lindjes së Mesme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Riad Domazeti, i diplomuar në Universitetin Marmara në Turqi, autor dhe bashkautor i disa veprave akademike, aktualisht i angazhuar në Qendrën për Studime Politike dhe Humane (INSAMER) në Stamboll.

Programi i seminareve përfshiu tema të rëndësishme si:

Hyrje në Lindjen e Mesme: konceptet, shoqëritë, fetë, etnitë dhe ekonomia; trashëgimia osmane; modernizimi dhe reformat në shekujt XIX–XX.

Ideologjitë që krijuan Lindjen e Mesme: formimi i shteteve, luftërat ideologjike dhe kërkimi për identitet.

Lindja e Mesme gjatë Luftës së Ftohtë (1970–1990): dinamika rajonale, aleancat dhe ndikimi i konflikteve.

Rivaliteti i fuqive globale: SHBA, Rusia, Kina, Britania dhe Franca në rajon.

Lindja e Mesme, Ballkani dhe Shqiptarët: gjurmët historike, ndikimet reciproke dhe lidhjet politike e kulturore.

Pjesëmarrja e stafit të FSHS-së në këtë program pasqyron përkushtimin e UKZ-së për të rritur kapacitetet profesionale të profesoratit, duke sjellë në auditor përvoja dhe dije të reja shkencore. Menaxhmenti i universitetit dhe fakultetit ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë organizimin dhe pjesëmarrjen në trajnime lokale e ndërkombëtare, me synim cilësinë në mësimdhënie, avancimin shkencor dhe zhvillimin profesional të stafit akademik.