Fakulteti i Shkencave Sociale ka organizuar punëtori për ridefinimin e rezultateve të të nxënit në Programin MNSE

1 Korrik, 2025

Në kuadër të përpjekjeve për avancimin e cilësisë akademike dhe përmirësimin e procesit mësimor, Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka organizua një punëtori e veçantë, dedikuar ridefinimit të rezultateve të të nxënit për kurset e programit të studimeve Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studimet Evropiane (MNSE).

Qëllimi kryesor i kësaj punëtorie ishte rishikimi dhe harmonizimi i rezultateve të të nxënit me qëllimet, objektivat dhe përmbajtjen e kurseve, në përputhje me standardet e përcaktuara nga Korniza Kombëtare dhe ajo Evropiane e Kualifikimeve për Arsimin e Lartë. Gjatë aktivitetit u diskutua rëndësia e përshtatjes së metodologjisë së mësimdhënies dhe vlerësimit me rezultatet e synuara të mësimnxënies, si dhe nevoja për reflektim të qartë të këtyre rezultateve në përmbajtjet e kurseve (syllabuset) dhe në praktikat e përditshme mësimore.

Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime lidhur me standardet e mësimdhënies dhe mësimnxënies, përmbajtjen e procesit arsimor dhe mënyrat e sigurimit të cilësisë përmes strategjive të përshtatshme mësimore dhe vlerësuese. U theksua gjithashtu roli i rëndësishëm i stafit akademik në përdorimin e metodave inovative për të arritur kompetenca njohëse, teknike dhe profesionale të studentëve.

Kjo punëtori përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së efikasitetit dhe cilësisë së programit MNSE, duke siguruar që studentët të përgatiten në mënyrë të gjithanshme dhe në përputhje me kërkesat bashkëkohore të tregut të punës dhe zhvillimit shoqëror.