Në UKZ u mbajt punëtori dyditore në kuadër të projektit Erasmus+ DELTA

30 Qershor, 2025

Gjatë dy ditëve 18 dhe 19 qershor, në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt punëtori në kuadër të projektit Erasmus+ DELTA – Data Literacy and Innovation in Western Balkans, me pjesëmarrjen e partnerëve nga gjashtë vende: Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, si dhe dy vende të Bashkimit Evropian, Italia dhe Greqia.

Punëtoria u hap nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në UKZ, Prof. Dr. Dukagjin Leka, i cili falënderoi të gjithë partnerët për pjesëmarrje. Prorektori Leka tha se përmes projekteve si DELTA, Universiteti Publik “Kadri Zeka” forcon bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, duke i ofruar studentëve dhe stafit mundësi konkrete për zhvillim akademik dhe hulumtues në përputhje me standardet evropiane.

Më pas përfaqësuesi i Universitetit Europian të Tiranës (UET), njëherësh koordinatori i projektit DELTA, prezantoi strukturën e projektit, menaxhimin dhe mekanizmat e kontrollit të cilësisë.

Në pjesën e parë të punëtorisë, profesorë dhe ekspertë ndërkombëtarë prezantuan disa nga komponentët kyç të projektit. Profesor nga Italia prezantuan pyetësorin për analizën “State of the art on Data Literacy”, kurse profesor nga Greqia prezantuan modelin “Co-designing the DELTA learning ecosystem”, ndërsa profesor nga Bosnja dhe Hercegovina folën për mënyrën e pilotimit të modelit të mësimit DELTA.

Pas këtyre prezantimeve, punëtoria vazhdoi me punë në grupe, ku secili universitet partner kontribuoi me komentet dhe sugjerimet e veta për pyetësorin që do të përdoret përpara fazës së “Desk Research for Data Literacy and Innovation”.

Dita e dytë e punëtorisë u përqendrua në planin e shpërndarjes dhe rritjen e vizibilitetit të projektit. Partnerët ndanë praktikat më të mira për komunikimin dhe promovimin e aktiviteteve të projektit si brenda ashtu edhe jashtë institucioneve të tyre.

Koordinatorja e projektit nga UET,  Dardane Nuka, drejtoi gjithashtu mbledhjen e Komitetit Drejtues, ku u prezantuan afatet dhe aktivitetet për çdo WP (Work Package), duke theksuar rëndësinë e raportimit në platformën EACEA/Sigma. U diskutuan gjithashtu planet për vizitat e ardhshme të projektit në Athinë dhe Palermo, si dhe caktimi i datave për trajnimet me partnerët nga BE.

Punëtoria dyditore u përmbyll me sukses duke pasqyruar frymën pozitive dhe bashkëpunuese të të gjithë pjesëmarrësve, si dhe përkushtimin për të vazhduar me suksese të tjera në kuadër të projektit DELTA.