Delegacioni i UKZ-së gjatë vizitës zyrtare në Gjermani zhvilloi takime me institucione prestigjioze për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar

14 Qershor, 2025

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me delegacionin e tij, po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani, me qëllim forcimin e bashkëpunimit me institucione të arsimit të lartë në nivel evropian.

Gjatë kësaj vizite, Rektori Prof. Asoc. Dr, Artan Dërmaku ka realizuar takime të rëndësishme me përfaqësues të dy institucioneve prestigjioze. New European College dhe EU Business School, të dyja me seli në Mynih. Në këto takime, u diskutuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit akademik dhe shkencor me fokus në ndërtimin e partneriteteve afatgjata.

Në takimin me Presidentin e New European College, Prof. Dr. Sascha E. Liebhardt, u trajtuan tema që lidhen me përgatitjen e programeve të përbashkëta akademike, organizimin e konferencave dhe publikimeve të përbashkëta shkencore, veçanërisht në bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik të UKZ-së. Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte ndërlidhja me universitete nga Holanda, për shkak të bashkëpunimit që ky institucion ka me Wittenborg University of Applied Sciences.

Ndërkohë, gjatë vizitës në EU Business School, një ndër institucionet më të njohura evropiane në fushën e menaxhmentit dhe shkencave ekonomike, u zhvilluan bisedime për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi, që do të përfshijë fusha të rëndësishme si, shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik, zhvillimi i projekteve të përbashkëta kërkimore dhe shkencore, trajnime profesionale dhe seminare ndërkombëtare, si dhe përmirësimi i programeve akademike sipas standardeve evropiane. Po ashtu, u theksua rëndësia e aplikimit të përbashkët në programet e Bashkimit Evropian, si dhe mundësitë për bashkëpunim me donatorë ndërkombëtarë nga Gjermania dhe Holanda, me synim fuqizimin e kapaciteteve të UKZ-së në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.