Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” u mbajt takimi për themelimin e Këshillit të Mirëbesimit të Fakultetit të Shkencave Sociale, me pjesëmarrjen e gjerë të përfaqësuesve nga institucione të ndryshme publike, arsimore, ekonomike dhe të shoqërisë civile.
Në takim morën pjesë Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, stafi i fakultetit, drejtorë të shkollave të mesme nga komunat e Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës, përfaqësues të zyrave për integrim evropian në këto komuna, përfaqësues të bizneseve, organizatave të shoqërisë civile, si dhe studentë.
Takimin e hapi Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, i cili tha se themelimi i Këshillit të Mirëbesimit është një hap i rëndësishëm drejt ndërlidhjes së drejtpërdrejtë të Fakultetit të Shkencave Sociale me nevojat e komunitetit dhe tregut të punës, duke krijuar raporte bashkëpunimi që do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve tanë. Dekani Prof. Asoc. Dr. Selim Daku tha se qëllimi i themelimit të Këshillit të Mirëbesimit është krijimi i një mekanizmi bashkëpunimi dhe komunikimi ndërmjet Fakultetit dhe faktorëve të jashtëm me rëndësi, për të orientuar zhvillimin akademik drejt kërkesave reale të tregut të punës dhe nevojave të komunitetit.
Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, falënderoi të pranishmit, derisa theksoi rëndësinë strategjike të themelimit të Këshillit të Mirëbesimit. Rektori tha se ky Këshill do të shërbejë si urë ndërlidhëse për ide, projekte dhe zhvillime të përbashkëta. . Njëherësh Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, tha se Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar në forcimin e lidhjeve me komunitetin dhe akterët relevantë dhe se themelimi i këtij Këshilli është dëshmi konkrete e vizionit tonë për një arsim më funksional, të lidhur ngushtë me zhvillimet shoqërore dhe ekonomike në nivel lokal dhe kombëtar.
Në kuadër të këtij takimi, u formua edhe struktura udhëheqëse e Këshillit të Mirëbesimit të Fakultetit. Për kryesues të Këshillit u zgjodh z. Mixhen Fazliu, ndërsa për koordinatore u zgjodh znj. Fatlume Behluli.
Pjesëmarrësit përshëndetën nismën dhe theksuan gatishmërinë për të kontribuar në një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe produktiv, që do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe në përgatitjen më të mirë të studentëve për sfidat profesionale.
Këshilli i mirëbesimit do të funksionojë si trup këshillimor joformal që do të mblidhet në mënyrë periodike për të diskutuar zhvillimet arsimore, nevojat e tregut dhe mundësitë për bashkëpunim konkret ndërmjet fakultetit dhe aktorëve të jashtëm.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan