Në UKZ u shfaq dokumentari “Lettres Ouvertes” një rrëfim mbi jetën e punëtorëve sezonalë shqiptarë në Zvicër

16 Maj, 2025

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u shfaq filmi dokumentar “Lettres Ouvertes” të autores Katharine Dominicé, në organizim të Fakultetit të Shkencave Sociale në UKZ, një bashkëpunim ndërinstitucional me Ambasadën e Zvicrës në Kosovë dhe Universitetin e Kulturave të Gjenevës (UPA).

Filmi trajton jetën dhe përvojat e punëtorëve sezonalë në Zvicër, mes tyre shumë shqiptarë nga Kosova dhe në veçanti nga rajoni i Gjilanit. Përmes rrëfimeve të sinqerta, dokumentari eksploron përpjekjet, sakrificat dhe kujtimet e një brezi që jetoi mes largësisë dhe punës së rëndë, por edhe shpresës për një të ardhme më të mirë.

Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Rektor i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e hapjes së universitetit ndaj temave që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me jetën, historinë dhe identitetin e komunitetit tonë. “Është kënaqësi që sot kemi mundësinë të ndalemi e të reflektojmë mbi një pjesë të rëndësishme të historisë sonë kolektive, përvojat e mërgatës sonë në Zvicër. Këto rrëfime janë jo vetëm personale, por edhe pjesë e kujtesës sonë kombëtare. Universiteti ynë gjithmonë do të jetë hapësirë për të dëgjuar zëra të tillë, për t’i dokumentuar dhe për t’i shpërndarë me brezat e rinj”, tha në fjalën e tij Rektori Dërmaku. Ai falënderoi Ambasadën e Zvicrës, Universitetin e Gjenevës dhe autorët e filmit për bashkëpunimin derisa theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve kulturore dhe akademike ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Znj. Albana Krasniqi Malaj, nga Universiteti i Kulturave të Gjenevës (UPA) dhe njohëse e historisë së migrimit shqiptar në Zvicër, ndau me audiencën një paraqitje të shkurtër por thelbësore mbi kontekstin historik të filmit. “Punëtorët sezonalë shqiptarë për dekada kanë qenë pjesë e motorit ekonomik të Zvicrës, por shpesh ata kanë mbetur të padukshëm në historinë zyrtare. Ky film është një përpjekje për të rikthyer dinjitetin dhe zërin e tyre në hapësirat publike, për të treguar se pas çdo pune të rëndë e pas çdo dërgese të vogël parash për familjen, qëndronte një njeri me ëndrra, e me dinjitet,” tha ndër tjerash znj. Krasniqi Malaj. Ajo shtoi se këto histori nuk janë vetëm shqiptare apo zvicerane, por universale, rrëfime për njerëz që lëvizin për jetë më të mirë dhe që ndërtojnë ura ndërkulturore.

Autorja e filmit dokumentar, znj. Katharine Dominicé, e prezantoi projektin e saj me ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe emocioni.“Ky film lindi nga dëshira për të dëgjuar e ndarë zërin e njerëzve që për shumë kohë kanë qenë të padukshëm, por që kanë dhënë shumë – për familjet e tyre, për vendet ku kanë jetuar e punuar. Të gjithë ata që rrëfehen në këtë film janë dëshmi e fuqisë së kujtesës dhe rezistencës njerëzore. Unë jam thellësisht mirënjohëse që këto histori më janë besuar,” tha znj. Katharine Dominicé. Ajo falënderoi universitetin Publik “Kadri Zeka” për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë që filmi të udhëtojë edhe më tej, për të hapur diskutime në komunitete të ndryshme.

Antoine Jaccoud, bashkautor i dokumentarit dhe autor i zërit narativ të tij, lexoi një tekst në gjuhën frenge të shkruar posaçërisht për këtë ngjarje, derisa në anën artistike, u lexua në gjuhën shqipe nga aktori Gjilanas Ernest Zymberi.

Pas fjalimeve, u shfaq filmi “Lettres Ouvertes”, i cili u prit me vëmendje dhe emocion nga publiku i përbërë nga studentë, profesorë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe qytetarë të interesuar.

Pas përfundimit të shfaqjes së filmit dokumentar, u organizua një diskutim i hapur me autorët dhe ekipin krijues të filmit. Në qendër të këtij bashkëbisedimi ishte Kadri Abdullahu nga Gjilani, personazhi kryesor i dokumentarit, i cili së bashku me vajzat e tij, Vlorën dhe Meriten, ndau rrëfime personale për jetën e tyre në Zvicër dhe përpjekjet për integrim në institucionet shtetërore zvicerane, ku ato sot kontribuojnë si profesioniste të suksesshme.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, të ndajnë përvoja të ngjashme dhe të reflektojnë mbi temat e trajtuara në film. Diskutimi u vlerësua gjerësisht, duke nxitur një reflektim  mbi çështjet e identitetit, migrimit dhe integrimit shoqëror.

Fjala e Rektorit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku