Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka përmbyllur me sukses aktivitetin ndërkombëtar “Tailored Booster Week for Startups and SMEs”, i cili u zhvillua nga 5 deri më 10 maj 2025, në bashkëpunim me Universitetin e Lucernit të Shkencave të Aplikuara dhe Arteve nga Zvicra.
Kjo iniciativë unike, e cila bashkoi studentë, profesorë, start-up-e dhe biznese lokale nga Gjilani me ekspertë dhe studentë nga Zvicra, u zhvillua me qëllim të përkrahjes së zhvillimit të ndërmarrësisë, nxitjes së inovacionit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjatë gjithë javës, pjesëmarrësit punuan në grupe për të zhvilluar plane konkrete për nëntë biznese vendore, duke kombinuar teori dhe praktikë në një format të strukturuar dhe dinamik.
Aktiviteti nisi zyrtarisht me një ceremoni hapjeje më 5 maj, ku morën pjesë personalitete të larta si Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, z. Jürg Sprecher, përfaqësues të Universitetit të Lucernit dhe liderë të institucioneve lokale.
Në organizimin me rastin e përmbylljes së këtij aktiviteti ndërkombëtar, Rektori i UKZ-së Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku tha se, “Tailored Booster Week” nuk ishte vetëm një aktivitet akademik, por ishte një udhëtim i përbashkët drejt inovacionit dhe sipërmarrjes, një urë konkrete midis universitetit tonë dhe tregut, midis Kosovës dhe Zvicrës. Rektori theksoi se ndihet krenar për punën e secilit, studentëve që dhanë më të mirën, bizneve që hapën dyert për bashkëpunim dhe profesorëve që frymëzuan krijimtari dhe mendim kritik. Rektori Dërmaku ka falënderuar Universitetin e Lucernit për partneritetin e qëndrueshëm, duke thënë se kjo që ndërtuam së bashku, nuk përfundon sot, por na hap një kapitull të ri në ndërveprim dhe zhvillim të ndërsjellë.
Kurse Prof. Dr. René Zeier, udhëheqësi i javës së studimit, tha se sot mbyllet një javë që nuk ishte vetëm kalendarike, por një përvojë e gjallë, një laborator i hapur ku idetë morën jetë dhe bashkëpunimi kapërceu kufijtë gjeografikë. Ai tha se ka qenë nder dhe privilegj që të udhëheq këtë edicion të “Tailored Booster Week” këtu në Gjilan, në zemrën e një universiteti, siç është Universitetit Publik “Kadri Zeka”, i cili po rritet me vizion dhe energji rinore. Prof. Dr. René Zeier tha se kjo javë na tregoi se sa shumë mund të mësojmë nga njëri-tjetri, kur studentët, profesorët, ndërmarrjet dhe institucionet vendosin të punojnë së bashku, nga debatet, prezantimet dhe punët praktike, deri te momentet e thjeshta të reflektimit, çdo pjesë e këtij udhëtimi ka qenë e vlefshme, theksoi ai..
Ndërkohë, gjatë javës, janë mbajtur ligjërata frymëzuese nga personalitete të rëndësishme të ekosistemit ndërmarrës në Kosovë dhe Zvicër, përfshirë Arta Istrefi-Jahja (Swiss EP), Ridvan Aliu (Future Minds Academy), Dior Halili (Trudo & DT Global) dhe Jakob Modéer (Swiss EP, Ballkani Perëndimor). Studentët kanë punuar ngushtë me start-up-et dhe SME-të për të analizuar nevojat dhe potencialet e tyre, duke hartuar plane të personalizuara zhvillimi dhe duke prezantuar zgjidhje gjatë përmbylljes, për të cilët në përmbyllje, janë ndarë cetifikata.
Po ashtu janë mbajtur edhe aktivitete ndërkulturore, si darkat me biznese dhe profesorë vendas, evenimente, që krijuan mundësi të shkëlqyera për rrjetëzim dhe shkëmbim përvojash.
Të gjitha aktivitetet janë koordinua nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në UKZ, e cila vazhdon të jetë një pikë kyçe në zgjerimin e partneriteteve akademike të universitetit me institucione të rëndësishme evropiane.
Java e Studimeve 2025 në Gjilan dëshmoi për potencialin e bashkëpunimeve ndërkombëtare në krijimin e përvojave reale për studentët dhe në mbështetjen e zhvillimit të ekosistemit të inovacionit në rajon. Kontributet e pjesëmarrësve nuk do të mbeten vetëm në nivel ideor, shumë nga zgjidhjet dhe propozimet e tyre pritet të zbatohen konkretisht nga bizneset vendore në periudhën në vijim.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pozitës së Universitetit Publik “Kadri Zeka” si një institucion që vepron aktivisht në ndërlidhjen e arsimit me zhvillimin ekonomik dhe social.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan