U mbajt takimi online për qasjen institucionale të UKZ-së në Scopus

6 Maj, 2025

Zyra për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore në Universitetin Publik “Kadri Zeka” organizoi një takim online për monitorimin e qasjes institucionale në platformën Scopus. Në takim morën pjesë Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Rektor i Universitetit, Prof. Dr. Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Ass. Dr. Arbona Xhemajli, Prorektore për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, dhe Betim Berisha, u.d. Udhëheqës i Divizionit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Antarësimeve, derisa u koordinua nga Faye Han, menaxhere e llogarisë për Universitetin Publik “Kadri Zeka”, përgjegjëse për portofolin e zgjidhjeve të Inteligjencës Shkencore, përfshirë Scopus, SciVal,.

Tema e diskutimit u fokusua në qasjen institucionale të Universitetit në Scopus, një platformë ndërkombëtare e njohur për botimin dhe ndarjen e artikujve shkencorë. Gjatë takimit, u diskutua se si universiteti mund të përmirësojë prezencën dhe performancën e tij në këtë burim të rëndësishëm të të dhënave, duke theksuar rëndësinë e rritjes së vizibilitetit të kërkimeve shkencore të Universitetit “Kadri Zeka” në arenën ndërkombëtare.

Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, hekso se ky organizim ishte një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar qasjen institucionale të universitetit në platformën Scopus. Ai tha se, tema e diskutimit, e cila u përqendrua në përmirësimin e angazhimit të Universitetit me këtë burim të rëndësishëm të të dhënave shkencore, na ofroi mundësinë të analizojmë strategjitë dhe hapat e mëtejshëm për të rritur ndikimin e kërkimeve tona në nivel ndërkombëtar, andaj ky takim reflekton angazhimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur kërkimin shkencor dhe për të pozicionuar Universitetin Publik “’Kadri Zeka” si një lider në fushën akademike, tha ndër tjerash Rektori Dërmaku.

Ky takim ka hapur mundësi të reja për përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimin e lidhjeve me institucione akademike të tjera, duke kontribuar në avancimin e nivelit të kërkimit shkencor dhe rritjen e cilësisë së hulumtimeve të realizuara në universitet. Angazhimi i Universitetit Publik “Kadri Zeka” për të rritur performancën shkencore tregon një përkushtim të vazhdueshëm për zhvillimin e kërkimeve dhe avancimin e arsimit të lartë në përgjithësi.